Procesi i anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian është përballur me një pengesë të re, pasi Kroacia ka bllokuar mbylljen e Kapitullit 31 të negociatave, që lidhet me politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen.
Megjithëse Mali i Zi konsiderohet kandidati më i avancuar për anëtarësim në BE nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe synon të bëhet shteti i parë i rajonit që do t'i bashkohet bllokut deri në vitin 2028, Zagrebi ka kushtëzuar vijimin e negociatave me zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Sipas mediave rajonale, Kroacia i ka paraqitur Podgoricës gjashtë kërkesa kryesore, të cilat duhet të adresohen deri në fund të vitit përpara se të japë pëlqimin për hapjen e mëtejshme të negociatave me Brukselin.
Mes kërkesave përfshihen dëmshpërblimi për ish-të burgosurit kroatë të luftës që u mbajtën në kampet në Mal të Zi gjatë viteve 1991–1995, vazhdimi i kërkimeve për 14 persona që rezultojnë ende të zhdukur nga Lufta për Pavarësinë e Kroacisë, ndjekja efektive e krimeve të luftës, zgjidhja e mosmarrëveshjeve për pronat e konfiskuara të qytetarëve kroatë, përcaktimi i kufirit detar mes dy vendeve, kthimi i anijes shkollë "Jadran", si edhe ruajtja e pllakës përkujtimore në ish-kampin e Morinjit, ku gjatë luftës u mbajtën të burgosur qindra kroatë.
Kroacia kishte shprehur rezervat e saj që në vitin 2024, pas miratimit nga Parlamenti i Malit të Zi të një rezolute mbi gjenocidin ndaj serbëve në kampin fashist të Jasenovacit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Zagrebi e konsideroi atë vendim një provokim politik të nxitur nga Beogradi.
Autoritetet kroate kanë theksuar se Bashkimi Evropian nuk duhet të importojë mosmarrëveshje dypalëshe dhe se çështjet e hapura duhet të zgjidhen përpara anëtarësimit të një vendi të ri në bllok.
Pavarësisht bllokadës, Mali i Zi po vazhdon punën teknike me institucionet evropiane. Në mesin e korrikut 2026, Podgorica mbylli përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë negociues, duke e çuar në 18 numrin e kapitujve të mbyllur nga gjithsej 33.
Zyrtarët evropianë vijojnë ta konsiderojnë Malin e Zi kandidatin më të favorizuar për anëtarësim në BE, megjithëse vetoja e Kroacisë tregon se progresi do të varet jo vetëm nga reformat e brendshme, por edhe nga zgjidhja e çështjeve historike dhe politike me vendet fqinje.
Lini një Përgjigje