Kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Joni Keta, deklaroi se kriptovalutat përbëjnë një sfidë globale në luftën kundër krimit, ndërsa theksoi se BKH-ja ka rritur ndjeshëm kapacitetet për hetimin dhe gjurmimin e aseteve digjitale.
Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Ligjore, Keta u shpreh se hetuesit e BKH-së kanë ndjekur një program trajnimi dyvjeçar për hetimet që lidhen me kriptovalutat, ndërsa rezultatet e kësaj pune janë pasqyruar edhe në raportin e institucionit.
"Kriptovalutat janë shqetësim jo vetëm për ne, por në të gjithë botën. Sot BKH-ja i ka kapacitetet e nevojshme, pasi hetuesit tanë janë trajnuar prej dy vitesh për gjurmimin e kriptovalutave. Rezultatet konkrete janë pjesë e hetimeve të zhvilluara nga BKH-ja," tha Keta.
Ai shtoi se kontributi i BKH-së nuk kufizohet vetëm në hetimet që zhvillon SPAK, por shtrihet edhe në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.
"Sot nuk jemi vetëm në fazën kur kryejmë veprime për llogari të SPAK-ut. Puna jonë ka dhënë kontribut edhe jashtë vendit dhe kjo reflektohet në platformat e partnerëve tanë ndërkombëtarë," u shpreh kreu i BKH-së.
Sipas Ketës, sfida e radhës lidhet me administrimin e kriptovalutave në kuadër të ndryshimeve ligjore, ndërsa theksoi se BKH ka ndërmarrë edhe një riorganizim të brendshëm, duke krijuar struktura të dedikuara për hetimin e kriptovalutave dhe aseteve digjitale.
Duke komentuar një pyetje mbi një operacion të fundit, Keta theksoi se BKH bashkëpunon ngushtë me Policinë e Shtetit dhe nuk synon të konkurrojë me të.
"Ne kemi bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe nuk kërkojmë të konkurrojmë me të, pasi është organizata më e madhe ligjzbatuese në vend. Hetuesit e BKH-së kanë vepruar në përputhje të plotë me Kodin e Procedurës Penale, kanë konstatuar personin në kërkim dhe kanë kryer arrestimin. Kjo është detyra e çdo hetuesi," deklaroi Keta.
Lini një Përgjigje