Lakminë rreth burimeve minerale të Groenlandës ka dalë sërish në planet e Donald Trump, pas rrëmbimit të Nicolás Maduro, ishull që ndodhet nën sovranitetin danez.
Të dielën, më 4 janar 2026, dy ditë pas rrëmbimit të Nicolás Maduro në Venezuelë, presidenti amerikan i tha shtypit: “Ne kemi nevojë për Groenlandën nga pikëpamja e sigurisë kombëtare dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje të kujdeset për të.” “Do të kujdesemi për Groenlandën pas rreth dy muajsh… le të flasim për Groenlandën pas njëzet ditësh”, shtoi ai.
Këto deklarata të presidentit amerikan Donald Trump, tregojnë rikthimin e një politike të jashtme amerikane të bazuar në presion të drejtpërdrejtë dhe logjikë force.
Në këtë kontekst, edhe çështja e Groenlandës, e trajtuar nga Le Monde, nuk përbën një rast të izoluar, por pjesë të së njëjtës qasje gjeopolitike, ku Trump shfaq gatishmëri për të vënë në diskutim sovranitetin, stabilitetin institucional dhe balancat ndërkombëtare.
Ashtu si në Venezuelë, ku kriza politike u përshkallëzua përmes ndërhyrjeve dhe deklaratave të forta amerikane, edhe në Groenlandë, ndërhyrja verbale e Trumpit ka shërbyer si katalizator për tensione të reja politike, duke rihapur debate mbi pavarësinë, kolonializmin dhe interesat strategjike globale.
Analiza e Le Monde
Më 19 janar 2025, Nuuk, kryeqyteti i Groenlandës nuk përjetoi një të diel të zakonshme. Në qendrën kulturore Katuaq, e njohur për arkitekturën e saj që simbolizon dritat veriore (aurorën boreale), qindra qytetarë u mblodhën pavarësisht stuhisë së borës për të ndjekur një debat televiziv mbi të ardhmen e ishullit arktik. Debati u transmetua njëkohësisht nga televizioni danez TV2 dhe televizioni lokal KNR, duke krijuar një përballje të rrallë mes Danimarkës dhe Groenlandës kolonizuesit dhe të kolonizuarve.
Publiku reagoi me entuziazëm të madh kur kryeministri i Groenlandës, Mute Egede, deklaroi se “groenlandezët duan të vendosin vetë për të ardhmen e tyre”.
Pas debatit, pjesëmarrësit ndjenë se për herë të parë zëri i tyre ishte dëgjuar seriozisht nga Kopenhaga. Sipas tyre, ky ndryshim i papritur i qëndrimit danez lidhet drejtpërdrejt me deklaratat e ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte shprehur synimin për ta “marrë” Groenlandën nga Danimarka.
Edhe pse këto deklarata shkaktuan shqetësim, ato gjithashtu ngjallën shpresë. Groenlandezët besojnë se çështje të vjetra, të injoruara prej dekadash nga Danimarka, më në fund po dalin në dritë dhe se zgjidhjet po bëhen të mundshme.
Pasuritë natyrore, ngrohja globale dhe interesat ekonomike
Groenlanda është një nga rajonet e fundit të mëdha të pashfrytëzuara të planetit. Me një territor prej 2.2 milionë kilometrash katrorë dhe vetëm rreth 57 mijë banorë, ishulli përmban rezerva të mëdha mineralesh të rralla, të krahasueshme me ato të Shteteve të Bashkuara. Këto pasuri kanë tërhequr vëmendjen e Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe NATO-s.
Ngrohja globale, e cila në Arktik po ndodh tre herë më shpejt se në pjesën tjetër të botës, po shihet nga kompanitë minerare si një avantazh ekonomik. Shkrirja e akullit po hap rrugë të reja tregtare polare që lidhin Oqeanin Paqësor me Atlantikun, duke e vendosur Groenlandën në një pozicion strategjik kyç.
Ekonomia e Groenlandës aktualisht mbështetet kryesisht në peshkim, që përbën rreth 90 % të eksporteve, por një pjesë e madhe e fitimeve përfundojnë në Danimarkë. Kjo varësi ekonomike ushqen ndjenjat për pavarësi dhe dëshirën për kontroll më të madh mbi burimet natyrore.
Trashëgimia e kolonializmit dhe plagët e hapura shoqërore
Një nga temat më të ndjeshme në marrëdhëniet danezo-groenlandeze është trashëgimia koloniale. Edhe pse Groenlanda zyrtarisht pushoi së qeni koloni në vitin 1953, shumë politika të mëvonshme konsiderohen sot si forma të kolonializmit të fshehur.
Rasti më tronditës është ai i kontracepsionit të detyruar. Midis viteve 1960 dhe 1970, mjekë danezë vendosën spirale pa dijeninë dhe pëlqimin e rreth 4 500 grave dhe vajzave inuite, disa prej tyre vetëm 13 vjeç. Kjo politikë uli ndjeshëm lindshmërinë dhe sot konsiderohet nga kryeministri Egede si një akt që i afrohet “gjenocidit”. Aktualisht, mbi 140 gra kanë ngritur padi kundër shtetit danez.
Një tjetër episod i dhimbshëm është ai i vitit 1951, kur 22 fëmijë inuitë u morën me forcë nga familjet e tyre dhe u dërguan në Danimarkë për t’u “edukuar” si elitë e ardhshme daneze e Groenlandës. Shumë prej tyre nuk u kthyen kurrë, ndërsa të tjerët u kthyen të shkëputur nga gjuha dhe kultura e tyre.
Këto raste kanë ushqyer ndjenjën e pabarazisë, diskriminimit dhe mungesës së respektit, veçanërisht tek brezi i ri, i cili sot është më i vetëdijshëm për pasojat e kolonializmit.
Gjuha është një simbol i fortë i pabarazisë. Edhe pse kalaallisut është gjuha e vetme zyrtare në Groenlandë, shumica e danezëve që jetojnë atje nuk e mësojnë kurrë. Në Parlamentin danez, për shumë vite nuk kishte përkthim simultan për deputetët groenlandezë. Vetëm në nëntor 2024, pas refuzimit të një deputeteje për të folur danisht, u vendos përkthimi një moment i quajtur “historik”.
Sipas ish-përfaqësueses së Danimarkës në Groenlandë, Mikaela Engell, groenlandezët janë detyruar vazhdimisht të protestojnë fort për t’u dëgjuar. Ajo thekson se ata kërkojnë mbi të gjitha njohje dhe respekt, jo thjesht ndihmë ekonomike.
Groenlanda në lojën gjeopolitike globale
Deklaratat e Donald Trump për Groenlandën shkaktuan një “ndryshim tektonik” në Danimarkë. Qeveria daneze shpalli masa konkrete për të luftuar racizmin ndaj groenlandezëve, përfshirë të drejtën për pasaportë groenlandeze dhe edukim më të thelluar mbi historinë e mbretërisë.
Në të njëjtën kohë, edhe në Danimarkë ka nisur një debat i hapur: pse duhet të mbahet Groenlanda me çdo kusht, kur vetë groenlandezët po kërkojnë pavarësi dhe kur Danimarka shpenzon mbi 4.2 miliardë korona në vit për subvencione?
Ligji i vitit 2009 i jep Groenlandës të drejtën të organizojë referendum për pavarësinë. Edhe pse nuk pritet të mbahet menjëherë, shumica e analistëve besojnë se pavarësia është çështje kohe. Disa figura publike parashikojnë vitin 2035 si një moment të mundshëm historik.
Nga pikëpamja strategjike, Groenlanda është jetike për SHBA-në, veçanërisht për kontrollin e kalimit detar midis Groenlandës, Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Baza ushtarake amerikane në Pituffik është tashmë nën kontroll de facto të Uashingtonit.
Sipas ekspertëve, SHBA-ja nuk ka nevojë ta aneksojë Groenlandën, pasi ajo tashmë gëzon liri të plotë ushtarake përmes marrëveshjeve ekzistuese me Danimarkën dhe Groenlandën. Ideja e aneksimit shihet më shumë si provokim politik sesa si nevojë reale strategjike.
Lini një Përgjigje