
Teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky po përballet me një skandal korrupsioni brenda qeverisë së tij, po rritet edhe presioni mbi të për të shkarkuar shefin e fuqishëm të stafit të tij, Andriy Yermak, i cili ka drejtuar zyrën e presidentit për pesë vjet.
Presioni po vjen nga brenda partisë së Zelensky-t, Shërbëtori i Popullit, të paktën kështu raportojnë si Politico ashtu edhe mediat ukrainase, duke cituar zyrtarë të lartë ukrainas dhe burime nga brenda partisë.
Disa prej tyre sugjeruan që ish-producenti 53-vjeçar i filmave mund të shkarkohet edhe sot, megjithëse nuk ka prova për këtë.
Kundërshtarët e Yermak janë përpjekur ta lidhin atë me skandalin e korrupsionit, edhe pse ai mohon çdo lidhje të tillë. Ata gjithashtu e fajësojnë atë për rolin e tij në përpjekjen e dështuar të Zelensky-t për t'i hequr autoritetit kombëtar të korrupsionit (SPAK-ut ukrainas), pavarësinë e tij.
Por pakënaqësia nga rivalët e Yermakut shkon më thellë se kaq dhe bazohet gjithashtu në fuqinë e madhe të vendimmarrjes dhe mbikëqyrjes që zyrtari i pazgjedhur ka grumbulluar në Kiev, thonë raportet.
Nga ana tjetër i pashqetësuar nga thashethemet, Yermak postoi sot në kanalin e tij Telegram se kishte mbërritur në Turqi, ku Zelensky do të takohet me Erdoganin, dhe shtoi se ishte "në kontakt të vazhdueshëm" me qeverinë amerikane me qëllim arritjen e paqes.
Lini një Përgjigje