TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Shtator 2025, 21:02

Skenarët për vrasësin e Charlie Kirk, 22-vjeçari ishte përkrahës i krahut të djathtë apo të majtë?

Shkruar nga Pamfleti

Skenarët për vrasësin e Charlie Kirk, 22-vjeçari ishte

Javën e ardhshme pritet të ngrihen zyrtarisht akuza ndaj 22-vjeçarit Tyler Robinson, i cili u arrestua për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk në Universitetin e Utah.

Robinson, student i vitit të tretë në një program praktik për elektricistë në Utah, u arrestua 33 orë pas vrasjes, pasi familjarë të tij dhe një pastor, mik i familjes, kontaktuan autoritetet duke treguar përfshirjen e tij në krim.

“E kapëm”, deklaroi guvernatori Spencer Cox në fillim të konferencës për shtyp ku njoftoi arrestimin.

Ndërsa vrasja e Kirk ka shkaktuar përçarje të thellë në shoqërinë amerikane, motivet e autorit mbeten ende të paqarta. Po ashtu, edhe identiteti ideologjik i Robinson mbetet i diskutueshëm, pasi është e vështirë të përcaktohet qartë nëse ka një përkatësi të strukturuar.

Që në orët e para pas ngjarjes, autoritetet kanë analizuar pamjet e kamerave të sigurisë dhe të dhënat nga profili i Robinson në platformën Discord, që ndihmuan në lidhjen e tij me krimin. Hetuesit kanë mbledhur prova shtesë kriminalistike nga banesa e tij në qytetin St. George, afërsisht 8 kilometra nga shtëpia e prindërve të tij, pranë kufirit me Arizonën.

Guvernatori i Utah, Spencer Cox, e cilësoi vrasjen si një “sulm ndaj të gjithëve” dhe e krahasoi këtë moment me vrasjet politike të viteve 1960 në SHBA. Ai refuzoi të komentojë mbi motivin e Robinson, por zbuloi se disa nga fishekët e gjetur në vendngjarje kishin të gdhendura mesazhe, si p.sh.: “Këtu, fashist! ZIHU!”. “Besoj se mesazhi flet vetë”, u shpreh ai.

Sipas dokumenteve zyrtare, Robinson ishte i regjistruar si votues, por pa anëtarësi në ndonjë parti politike. Megjithatë, një i afërm i tij u ka thënë hetuesve se kohët e fundit 22-vjeçari ishte politizuar ndjeshëm dhe kishte shprehur pakënaqësi të theksuar ndaj Charlie Kirk dhe ideve të tij.

Pas ngjarjes, figura të Partisë Republikane, përfshirë presidentin Donald Trump, kanë akuzuar të majtën për nxitje urrejtjeje ndaj konservatorëve, duke thënë se retorika liberale po nxit dhunë ndaj tyre.

Nga ana tjetër, Demokratët kanë dënuar dhunën politike dhe kërkojnë ligje më të ashpra për kontrollin e armëve. Ata e akuzojnë Trumpin për demonizim të kundërshtarëve politikë, gjyqtarëve dhe mediave përmes fjalimeve të tij.

Rachel Kleinfeld, studiuese në Carnegie Endoëment for International Peace, deklaroi për Reuters se mesazhet e gdhendura në fishekë mund të tregojnë se Robinson ishte i lidhur me lëvizjen “Groyper”, një rrymë ekstreme të djathtë e lidhur me komentatorin radikal amerikan Nick Fuentes.

Sipas saj, kjo lëvizje përfshin ide raciste, kundër komunitetit LGBTQ+ dhe përdor ironi dhe meme për të përhapur mesazhet e saj. Ndonëse konsiderohen ekstremë të djathtë, ata shpesh kritikojnë edhe politikat e djathtës tradicionale, që sipas tyre nuk janë “mjaftueshëm konservatore”.

Kleinfeld thekson se shumë autorë të dhunës politike nuk i përkasin qartë një kahu ideologjik, por ndjekin një përzierje idesh konspirative dhe probleme të shëndetit mendor.

Nuk do të ishte aspak befasuese nëse ky person do të rezultonte anëtar i ekstremit të djathtë, apo edhe dikush me ide të përziera, të pakategorizueshme,” shtoi ajo.

Ajo thekson se rëndësi ka më shumë si e përjeton shoqëria ngjarjen, sesa bindjet personale të autorit. “Nëse vazhdojmë të drejtojmë gishtin ndaj njëri-tjetrit – qoftë për bindje të majta, të djathta apo thjesht për paqëndrueshmëri, kjo vetëm sa do të nxisë më shumë dhunë.”

Vrasja e Charlie Kirk ndodh në një periudhë të ndjeshme për SHBA-në, me një rritje të ndjeshme të dhunës politike që nga 6 janari 2021, kur përkrahës të Trump sulmuan Kapitolin. Sipas një analize të Reuters, janë regjistruar mbi 300 incidente të dhunës me motiv politik që atëherë.

Donald Trump ka mbijetuar nga dy tentativa për vrasje, ndërsa edhe politikanë demokratë janë bërë objektiv i sulmeve. Në prill, një zjarrvënës hyri në shtëpinë e guvernatorit të Pensilvanisë, Josh Shapiro, ndërsa familja e tij ndodhej brenda.

Më herët gjatë vitit, një person i armatosur, që prezantohej si oficer policie në Minnesota, vrau deputeten demokrate Melissa Hortman dhe bashkëshortin e saj, dhe qëlloi ndaj senatorit demokrat John Hoffman dhe bashkëshortes së tij.

Lini një Përgjigje