Nëse vazhdon që t’i bashkohet kursit të Shteteve të Bashkuara për ta bllokuar këtë proces të pakthyeshëm, atëherë BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) do të ndërtojë një arkitekturë paralele ndërkombëtare nën tutelën e Pekinit dhe Moskës.
Shtetet e Bashkuara nuk janë më një vend i besueshëm. Për disa, kjo nuk është asgjë e re. Lufta e Irakut e vitit 2003 - që shkaktoi më shumë se 100 mijë të vrarë, destabilizim të rajonit dhe rikthimin e ndikimit rus - ia kishte treguar tashmë botës pasojat dëmtuese të arrogancës ushtarake amerikane.
Por kriza aktuale është e pashembullt, sepse ajo po vë në pikëpyetje vetë zemrën e fuqisë ekonomike, financiare dhe politike të vendit, që duket i çorientuar, i qeverisur nga një udhëheqës i paqëndrueshëm dhe i paparashikueshëm, dhe pa asnjë kundërpeshë të aftë përtë rivendosur demokracinë.
Për të arsyetuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, ne duhet të kuptojmë shkallën e ndryshimit që po ndodh aktualisht. Nëse mbështetësit e Trump po ndjekin një politikë kaq brutale dhe të dëshpëruar, kjo ndodh sepse ata nuk dinë se si të reagojnë ndaj dobësimit ekonomik të vendit të tyre.
Në aspektin e fuqisë blerëse, pra në termat e vëllimit real të mallrave, shërbimeve dhe makinerive të prodhuara çdo vit, PBB-ja e Kinës e tejkaloi që në vitin 2016 atë të Shteteve të Bashkuara. Sot e tejkalon atë me 30 për qind, dhe do të arrijë dyfishin e PBB-së së SHBA-së deri në vitin 2035.
Pra realiteti është se Shtetet e Bashkuara po e humbin kontrollin e botës. Dhe ç’është më e keqja, grumbullimi i defiçiteve tregtare, e ka çuar në një nivel të paparë borxhin e jashtëm publik dhe privat të vendit (70 për qind e PBB-së për këtë vit).
Rritja e normave të interesit, mund të bëjë që Shtetet e Bashkuara t’i paguajnë pjesës tjetër të botës shuma të konsiderueshme parash, skenar që deri më tani e ka shmangur falë kontrollit që ka ushtruar mbi sistemin financiar global.
Kjo është edhe arsyeja pse ekonomistët mbështetës të Trumpit, kanë propozuar taksimin e interesit që do të duhet të paguajnë mbajtësit e huaj të obligacioneve amerikane. Por në një mënyrë akoma më të drejtpërdrejtë, Trump dëshiron që ta rigjallërojë ekonominë e SHBA-së duke marrë përsipër kontrollin e mineraleve nga Ukraina, Grenlanda dhe Panamaja.
Parë nga një perspektivë historike, defiçiti i madh tregtar i SHBA-së (mesatarisht midis 3-4 për qind të PBB-së çdo vit, nga viti 1995 dhe deri më sot) ka vetëm një precedent për një ekonomi të kësaj madhësie: ai është afërsisht i barazvlefshëm me atë të fuqive kryesore koloniale evropiane (Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Holandës) midis viteve 1880- 1914.
Por dallimi është se këto vende zotëronin burime të jashtme të jashtëzakonshme. Tek e fundit, Trump nuk është gjë tjetër veçse një udhëheqës kolonial i pafuqishëm. Ashtu si Evropa në të kaluarën, ai dëshiron që Pax Americana (rendi aktual global i garantuar nga SHBA-së) të paguhet nga kontributet e pjesës tjetër e botës, me synim financimin e deficitit të saj.
Por problemi është se Uashingtoni është tashmë në rënie, dhe epoka aktuale nuk i përshtatet këtij kolonializmi të shfrenuar. I kapluar nga nostalgjia, Trump e shpërfillim haptazi faktin se në vitin 1945, Shtetet e Bashkuara vendosën të ndaheshin nga rendi kolonial evropian dhe krijuan një model tjetër zhvillimi, bazuar në idealin demokratik dhe tek një avantazh arsimor ndaj pjesës tjetër të botës.
Në mënyrën se si po sillet në këto muaj të parë të mandatit të tij të dytë, presidenti i Shteteve të Bashkuara po e dobëson prestigjin politik, mbi të cilin vendi i tij ka ndërtuar udhëheqjen e tij. Po çfarë duhet bërë përballë këtij kolapsi?
Së pari, t’i drejtohemi vendeve të Hemisferës Jugore dhe t’i propozojmë një bashkëpunim shumëpalësh të ri social dhe mjedisor. Po ashtu, Evropa duhet të promovojë një reformë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, duke iu larguar sistemit aktual të bazuar tek pasuria, dhe duke i hapur vend vendeve si Brazili, India dhe Afrika e Jugut.
Nëse vazhdon që t’i bashkohet kursit të Shteteve të Bashkuara për ta bllokuar këtë proces të pakthyeshëm, atëherë BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) do të ndërtojë një arkitekturë paralele ndërkombëtare nën tutelën e Pekinit dhe Moskës.
Për më tepër, Evropa gaboi vitin e kaluar, kur e kundërshtoi propozimin për një drejtësi fiskale të promovuar nga Brazili në samitin e G20-ës, duke votuar kundër prezantimit në Kombet e Bashkuara të një konvente kornizë mbi taksimin e drejtë.
Dhe e bëri këtë sërish me Shtetet e Bashkuara për të ruajtur monopolin e OECD-së dhe klubit të vendeve të pasura mbi këto çështje, të konsideruara shumë të rëndësishme për tua lënë të varfërve. Nga ana tjetër, Brukseli duhet më në fund ta pranojë rolin e tij negativ në ç’ekuilibrat tregtare globale.
Është e lehtë ta kritikosh Kinën për abuzimet me fuqinë e saj, siç kanë bërë perëndimorët më parë, duke i ulur qëllimisht çmimet e lëndëve të para dhe për ta përmbytur botën me mallra të prodhuara prej tyre. Por është fakt që Evropa, ajo që ka pak kërkesë dhe investon shumë pak në territorin e saj.
Gjatë viteve 2014-2024, bilanci tregtar i Shteteve të Bashkuara në mallra dhe shërbime regjistroi një deficit mesatar vjetor prej afro 800 miliardë dollarësh (705 miliardë euro).
Gjatë së njëjtës periudhë, Evropa arriti një tepricë mesatare prej 350 miliardë dollarësh, gati aq sa Kina, Japonia, Koreja dhe Tajvani të marra së bashku (450 miliardë dollarë).
Në këto kushte, që Evropa të kontribuojë më në fund në promovimin e një modeli më të drejtë të zhvillimit ekonomik, social dhe ekologjik, do të duhet shumë më tepër sesa stimuli ushtarako-fiskal gjerman apo taksat mbi lëndët djegëse fosile të prodhuara jashtë bllokut./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Internazionale”
Lini një Përgjigje