TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Gusht 2025, 21:26

Samiti në Kinë, Modi dhe Zelensky bisedë telefonike për paqen në Ukrainë

Shkruar nga Pamfleti

Samiti në Kinë, Modi dhe Zelensky bisedë telefonike për

Kryeministri indian Narendra Modi ka deklaruar se zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për “rivendosjen e paqes dhe stabilitetit” në Ukrainë. Kjo bisedë u zhvillua përpara samitit i cili do të zhvillohet në Kinë në të cilin është planifikuar të marrë pjesë Presidenti rus Vladimir Putin.

Modi, i cili mbërriti herët të hënën në qytetin kinez Tianjin, një port në Kinën veriore për samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), theksoi se ofroi mbështetjen e plotë të Indisë në komunikimin e tij me Zelensky.

“Shkëmbyem pikëpamje mbi konfliktin e vazhdueshëm, dimensionin e tij humanitar dhe përpjekjet për të rivendosur paqen dhe stabilitetin. India ofron mbështetjen e saj të plotë për të gjitha përpjekjet drejt arritjes së këtij qëllimi”, shkroi Modi në një postim në rrjetet sociale.

Modi do të takohet me Putinin të hënën, samit i cili do të mbledhë udhëheqës nga më shumë se 20 vende. 

Zelensky, nga ana e tij, tha se pati një “bisedë produktive dhe të rëndësishme” me kryeministrin indian, gjatë së cilës ai riafirmoi gatishmërinë e Ukrainës për t’u takuar me Putinin.

“India është e gatshme të bëjë përpjekjet e nevojshme dhe t’i dërgojë një mesazh në drejtimin e duhur Rusisë dhe udhëheqësve të tjerë gjatë takimeve në margjinat e samitit”, shkroi ai për rrjetin social X. 

Nju Delhi ka marrëdhënie të gjata me Moskën, të cilat janë ruajtur pavarësisht përpjekjeve të Indisë për t’u lidhur me Uashingtonin dhe aleatët e tjerë perëndimorë për çështjet e sigurisë. 

Kjo politikë balancimi e ka bërë Nju Delhin të përmbahet nga dënimi i pushtimit rus të Ukrainës dhe në vend të kësaj të ofrojë veten si ndërmjetës midis dy palëve ndërluftuese.

Pavarësisht një serie përpjekjesh ndërkombëtare të kohëve të fundit për të ndërmjetësuar një armëpushim, përpjekjet për t’i dhënë fund luftës duket se kanë humbur vrullin, me Moskën që minimizon mundësinë e një samiti Putin-Zelensky.

India gjithashtu konfirmoi të premten se nuk do të “nënshtrohet” rritjes së tarifave prej 50% të Uashingtonit për produktet e saj, një vendim i marrë nga Donald Trump në hakmarrje për blerjet e naftës ruse nga Nju Delhi.

Lini një Përgjigje