TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Maj 2025, 16:34

Presidenti i Këshillit Evropian i hap “derën” Malit të Zi: Mund të bëhet anëtar i BE-së deri më 2028!

Shkruar nga Pamfleti

Presidenti i Këshillit Evropian i hap “derën” Malit

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e cilëson përparimin e Malit të Zi si “mbresëlënës” dhe nxit përshpejtimin e reformave për anëtarësim të hershëm në BE.

Në një deklaratë të fortë politike nga Podgorica, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, u shpreh se Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028, duke e cilësuar këtë zgjerim si një investim strategjik për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Gjatë takimit me Presidentin malazez, Jakov Millatoviç, Costa theksoi se përparimi i Malit të Zi në negociatat e anëtarësimit është “mbresëlënës” dhe se slogani “28 deri në 2028” është një objektiv i arritshëm, madje i dëshirueshëm edhe më herët. Millatoviç, nga ana e tij, e përshkroi këtë vizitë si një sinjal të qartë se perspektiva evropiane e vendit të tij mbetet prioritet në agjendën e BE-së.

“Ardhja juaj konfirmon se perspektiva evropiane e Malit të Zi mbetet lart në agjendën e BE-së. Në këto kohë sfiduese, politika e zgjerimit mund të jetë vendimtare. Ne mund të jemi drita në fund të tunelit dhe konfirmim se procesi i zgjerimit është gjallë“, tha Millatoviç.

Mali i Zi ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave që nga nisja e tyre në vitin 2012, por ka mbyllur përkohësisht vetëm tre. Pas një periudhe ngecjeje, negociatat janë rinisur në qershorin e kaluar, me synimin për të përmbyllur sa më shpejt procesin.

“Slogani ’28 deri në vitin 2028′ është shkëlqyeshëm, por do të ishte më mirë nëse do të arrihej më herët”, tha ai, duke shtuar se Mali i Zi “mund të bëhet anëtari i 28-të dhe një lider në integrimin evropian të rajonit”, tha Costa.

Megjithatë, marrëveshjet e fundit me Emiratet e Bashkuara Arabe, përfshirë dhënien me qira të Plazhit të Madh në Ulqin për 99 vjet, kanë ngjallur shqetësime në Bruksel. Costa paralajmëroi se çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me ligjet e BE-së, veçanërisht në fushat e prokurimit publik dhe mbrojtjes së mjedisit.

“Sidomos në fushat e prokurimit publik dhe mbrojtjes së mjedisit”, tha ai.

Në një kohë kur BE-ja synon të përshpejtojë procesin e zgjerimit, Mali i Zi duket se është në rrugën e duhur për t'u bërë shembull i një historie të suksesshme evropiane. Megjithatë, mbetet për t'u parë nëse reformat e brendshme dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë do të përshpejtojnë apo pengojnë këtë rrugëtim drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Lini një Përgjigje