Për ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov posedimi i armëve bërthamore mbron Rusinë nga kërcënimet e sigurisë.
Teksa dha një intervistë për median “The International Affairs”, Lavrov i kujtoi Perëndimit rreziqet e një konflikti të mundshëm mes fuqive bërthamore.
“Posedimi i armëve bërthamore është sot përgjigja e vetme e mundshme ndaj disa kërcënimeve të jashtme, të rëndësishme për sigurinë e vendit tonë”.
Gjatë intervistës Lavrov u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e NATO-s rrezikojnë të përfundojnë në një konfrontim të drejtpërdrejtë me fuqitë e tjera bërthamore.
“Ne besojmë se një zhvillim i tillë duhet të parandalohet. Prandaj duhet të kujtojmë ekzistencën e rreziqeve të larta ushtarake dhe politike dhe të dërgojmë sinjale të qarta tek kundërshtarët tanë”.
Muajin e kaluar, ish-Presidenti rus Dmitry Medvedev tha se Moska mund të përdorë armë bërthamore nëse kundërsulmi i Ukrainës kundër trupave ruse është i suksesshëm.
Perëndimi po i siguron armë Ukrainës ndërsa trupat ukrainase përpiqen të rimarrin territoret që Rusia aneksoi pas fillmit të luftës në Shkurt 2022.
Në fushë-betejë Rusia nuk ka ndalur sulmet. Gjatë natës janë lëshuar 17 dronë të prodhuar nga Irani në përpjekje për të goditur rajonet veriore, qendrore dhe perëndimore të Ukrainës.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se 15 nga dronët Shahed u rrëzuan. Si pasojë e sulmeve 2 persona u plagosën dhe dhjetëra ndërtesa u dëmtuan.
Lini një Përgjigje