
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se Moska ka paralajmëruar Beogradin të përgatitet pasi do të ketë trazira masive të iniciuara nga përfaqësuesit e vendeve perëndimore.
I pyetur për “përgatitjet perëndimore” për një grusht shteti në vend, ai tha se “sot morëm informacion zyrtar nga Federata Ruse”. Vuçiç shprehet se ata që ëndërrojnë se do të arrijnë diçka me forcë do të dështojnë.
“Informacioni është siguruar përmes kanaleve formale dhe ne po punojmë për ta zgjidhur atë. Për këtë është përgjegjës Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit, përveç kësaj, njerëzit në qeverinë serbe dhe agjencitë e tjera që janë të specializuar për këto gjëra janë duke bërë punën e tyre.
Ata që ëndërrojnë të arrijnë diçka me forcë do të dështojnë. Serbia vazhdimisht po ecën përpara dhe ata nuk mund dhe nuk do ta ndalojnë atë. Ata nuk do të mund ta ndalojnë më kurrë. Ky është mesazhi im për të gjithë dhe njerëzit tanë nuk kanë asgjë për t’u shqetësuar”, theksoi Vuçiç.
Më herët, gazeta Vecernje Novosti raportoi se anëtarët e opozitës serbe ishin të gatshëm të përfitonin nga protestat në Beograd të planifikuara për 10 gusht për të pushtuar pallatin presidencial, për të eliminuar kreun e shtetit dhe për të nisur të njëjtin skenar si në Ukrainë.
Lini një Përgjigje