TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Janar 2024, 15:42

Lufta në Gaza, Netanyahu ndihet ‘Zot’: Askush nuk e ndalon dot Izraelin, as Gjykata e Hagës!

Shkruar nga Pamfleti

Lufta në Gaza, Netanyahu ndihet ‘Zot’: Askush nuk e ndalon dot

Askush nuk do të na ndalojë, as Haga, as boshti i së keqes i udhëhequr nga Irani dhe askush tjetër.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar të vazhdojë luftën e Izraelit në Gaza deri sa të arrihet një fitore kundër Hamasit, me presion që vazhdon dhe rritet mbi qeverinë si brenda ashtu dhe jashtë vendit.

Duke folur në një konferencë shtypi të shtunën në mbrëmje, kryeministri izraelit anashkaloi me sfidë thirrjet për një armëpushim dhe hodhi poshtë akuzat e Afrikës së Jugut se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, të paraqitura në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me bazë në Hagë.

Askush nuk do të na ndalojë, as Haga, as boshti i së keqes i udhëhequr nga Irani dhe askush tjetër. Sulmi hipokrit në Hagë kundër shtetit të hebrenjve që u ngrit nga hiri i Holokaustit . . . është një pikë e ulët morale në historinë e kombeve”, tha ai.

Me gjithë qëndrimin luftarak të mbajtur nga kryeministri izraelit në detyrë, presioni ndërkombëtar dhe i brendshëm po rritet mbi qeverinë e tij për të ndalur luftën në Gaza, të paktën përkohësisht dhe për të siguruar kthimin e sigurt të pengjeve të mbetura izraelitë.

Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së i cili aktualisht po viziton Egjiptin, bëri thirrje ditën e stome që luftimet të ndërpriten në mënyrë që të adresohen më mirë nevojat "masive" humanitare brenda enklavës së shkatërruar palestineze dhe të organizohet lirimi i pengjeve izraelite.

Borrell la të kuptohet gjithashtu se nëse kushtet përkeqësohen brenda Gazës, të cilën grupet ndërkombëtare të ndihmës e kanë quajtur një "katastrofë" humanitare, shumica e më shumë se 2 milionë banorëve të enklavës nuk do të kenë asnjë zgjidhje tjetër përveç përpjekjes për t'i shpëtuar kurthit duke ikur në Egjipt.

Më shumë se 23,000 palestinezë janë vrarë deri më tani në Gaza, sipas zyrtarëve shëndetësorë në territorin e kontrolluar nga Hamasi, me rreth 85 për qind të banorëve të zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe me zyrtarët e OKB-së që paralajmërojnë se uria është shumë pranë shpërthimit në gjithë Gazën.

Vdekja masive, shkatërrimi, shpërngulja, uria, humbja dhe pikëllimi i 100 ditëve të fundit po njollosin njerëzimin tonë të përbashkët. Kriza në Gaza është një katastrofë e shkaktuar nga njeriu, e përbërë nga gjuha dehumanizuese dhe përdorimi i ushqimit, ujit dhe karburantit si instrumente lufte”, tha të shtunën mbrëma Philippe Lazzarini, komisioneri i përgjithshëm i UNRWA, agjencia kryesore e ndihmës e OKB-së në Gaza.

Sipas zyrtarëve izraelitë, të paktën 1200 izraelitë u vranë gjatë sulmit fillestar të Hamasit më 7 tetor që ndezi luftën dhe 240 u morën peng

Të afërmit e pengjeve izraelite organizuan një tubim masiv në Tel Aviv të shtunën mbrëma, duke tërhequr dhjetëra mijëra njerëz, për të shënuar "100 ditët e ferrit" që nga sulmi i Hamasit dhe i kërkuan Netanyahut të bënte gjithçka që ishte e nevojshme për të siguruar lirimin e robërve.

Demonstrata vazhdoi gjatë natës për plot 24 orë, duke përfshirë një "grevë solidariteti" 100-minutëshe të dielën në mëngjes nga sindikata kombëtare e punës së Histadrut, institucionet akademike dhe kompani të ndryshme të sektorit privat.

Kërkesat nga të afërmit e pengjeve për të ndaluar plotësisht luftën në mënyrë që të lehtësohet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e lirimit me Hamasin janë bërë më të zhurmshme javët e fundit. Një pjesë e madhe e medias dhe madje edhe politikanë të opozitës kanë dalë në mbështetje, duke argumentuar se kthimi i sigurt i më shumë se 130 izraelitëve ende në robëri duhej të kishte përparësi ndaj misionit të qeverisë për të "shkatërruar" Hamasin.

Ndërkohë, qeveria e Netanyahut dhe struktura izraelite e sigurisë vazhdojnë të këmbëngulin, siç kanë bërë që nga fillimi i luftës, se vetëm aplikimi i presionit gjithnjë e më të madh ushtarak ndaj Hamasit do të mundësojë lirimin e pengjeve të mbetura./Përshtati “Pamfleti” nga “Financial Times”

gaza lufta

Lini një Përgjigje