
Udhëheqësi i Katarit tha se “kanë bërë progres” gjatë diskutimeve për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, pas sulmit vdekjeprurës të grupit militant në Izrael muajin e kaluar.
Në një konferencë të përbashkët shtypi me kryediplomatin e Bashkimit Evropian Joseph Borrell, në Doha, ai tha se marrëveshja po kalon nëpër ulje-ngritje herë pas here, por shtoi se shumë shpejtë mund të ketë një konkretizim.
"Pikat kyçe të negociatave në këtë fazë janë më praktike, logjistike, por ende nuk përfaqësojnë thelbin e marrëveshjes. Është një rrugë e gjatë deri sa t'i afrohemi qëllimit, por niveli i besimit po rritet dhe ne shpresojmë se po arrijmë deri në atë pikë sa të pranohen kushtet.
Marrëveshja po kalon nëpër ulje-ngritje herë pas here gjatë javëve të fundit, por unë jam më i sigurt se jemi mjaft afër për të arritur një marrëveshje që mund t'i kthejë njerëzit në shtëpitë e tyre. Ne kemi qenë të përqendruar këto pesë javët e fundit në arritjen e negociatave, ne kemi provuar të gjitha mënyrat e mundshme për të siguruar që civilët të lirohen dhe ne mendojmë se të gjitha qeniet njerëzore janë të njëjta", tha Sheikh Mohammed Bin Abdulrahman al-Thani, i cili ka ndërmjetësuar negociatat midis Hamasit dhe Izraelit.
Gjithashtu presioni po rritet ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të arritur një marrëveshje për kthimin e sigurt të rreth 240 personave të rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor, kur u vranë të paktën 1200 njerëz.
Të shtunën, udhëheqësi izraelit mohoi raportet se Izraeli po shqyrtonte një propozim për lirimin e të paktën 50 të rrëmbyerve, duke thënë se kur qeveria të kishte diçka të re për të njoftuar, ata do ta raportonin atë.
Lini një Përgjigje