
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se kanë gjetur dhjetëra armë dhe pajisje ushtarake gjatë kërkimeve nënujore të kryera nga marina e saj.
“Gjatë kërkimeve të kryera nga Njësia për Misionet Nënujore, u gjetën një numër i madh armësh të përdorura nga organizata terroriste Hamas në përpjekjet e tyre për të depërtuar në territorin izraelit. Midis armëve dhe pajisjeve ushtarake ishin mjete shpërthyese, rripa shpërthyes, municione, varka fryrëse dhe më shumë”, thuhet në një deklaratë nga IDF.
Ata shpërndanë edhe një video e cila duket se tregon njësinë ushtarake duke kërkuar dhe gjetur armët nën ujë, e cila, ashtu si edhe raporti, është e paverifikuar.
Gjithashtu, forcat izraelite pretendojnë se forcat e saj ajrore dhe tokësore kanë kryer 4300 sulme që nga fillimi i luftës në Gaza.
IDF njoftoi në një postim në Telegram se kishte goditur “qindra pozicione lëshimi raketash antitank, afërsisht 300 tunele, afërsisht 3.000 vende të infrastrukturës terroriste, duke përfshirë mbi 100 struktura të montuara me eksplozivë dhe qindra qendra komandimi dhe kontrolli të Hamasit”.
Më shumë se 11.000 palestinezë, dy të tretat e tyre gra dhe fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Gaza.
Të paktën 1200 izraelitë kanë vdekur, shumica prej tyre civilë që u vranë në sulmin fillestar të Hamasit.
Lini një Përgjigje