
Izraeli njoftoi sot se po tërheq disa ushtarë nga Rripi i Gazës, të cilët do të çlodhen dhe përgatiten për atë që zyrtarët kanë thënë se do të jetë një luftë e gjatë ndaj Hamasit që do të vazhdojë për muaj të tërë.
Izraeli është gjendur nën trysninë e aleatit kryesor, Shteteve të Bashkuara, për të kaluar në operacione të intensitetit të ulët në Gazë, me qëllim mbrojtjen e civilëve. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës të kontrolluar nga Hamasi, njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë 156 persona.
Në filmimet nga kamerat e mbajtura në trup nga ushtarët izraelitë tregohen luftimet me militantët palestinezë në qytetin Khan Younis në Rripin e Gazës.
Ndërsa thirrjet ndërkombëtare vazhdojnë për një armëpushim dhe ndihma të mëtejshme për territoret palestineze, Presidenti amerikan Joe Biden i ka rezistuar ushtrimit të trysnisë ndaj Izraelit për t’i ndalur luftimet.
Në një konferencë për shtypin gjatë fundjavës, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se lufta po vazhdon me intensitet të plotë dhe paralajmëroi se ajo do të vazhdojë për shumë muaj të tjerë. Ai gjithashtu foli për rrezikun që paraqet Irani.
Irani mbështet grupin huthi në Jemen, që dikur Shtetet e Bashkuara e konsideronte organizatë terroriste. Aleatët perëndimorë thonë se anëtarët e grupit huthi po sulmojnë dhe ndërpresin transportin detar në Detin e Kuq. Shtëpia e Bardhë tha se po shqyrton mundësinë e riklasifikimit organizatë terroriste për këtë grupim.
Viti 2024 duket se do të sjellë gjakderdhje të mëtejshme në territoret palestineze, ndërsa Izraeli po i përmbahet objektivit të deklaruar për eliminimin e Hamasit dhe ndërsa po shtohen palët që po përfshihen në skenën e luftës.
Lini një Përgjigje