
Nikos Mihaloliakos, udhëheqësi i partisë neonaziste greke Agimi i Artë, është liruar nga burgu pa e përfunduar as gjysmën e dënimit të tij.
Mediat greke raportojnë se 67-vjeçari u lejua nga një këshill gjyqësor që ta vuajë pjesën tjetër të dënimit prej 13 vjetësh në arrest shtëpie, për arsye shëndetësore.
Kjo liri me kusht pas 5 vitesh burg ka shkaktuar zemërim mes partive të majta, të cilat argumentojnë se drejtësia nuk duhej të tregonte mëshirë për një figurë të tillë.
Kjo është hera e dytë që Michaloliakos lirohet nga burgu pas dënimit të tij në vitin 2020 për një seri sulmesh të dhunshme ndaj emigrantëve dhe kundërshtarëve politikë, të kryera nga mbështetës të Agimit të Artë.
Ai ishte liruar përkohësisht në maj 2024, por u rikthye në burg pasi autoritetet gjyqësore vendosën se nuk kishte treguar sjellje të mirë.
Michaloliakos themeloi dhe drejtoi një parti që u shpall organizatë kriminale, e lidhur me vrasjen e muzikantit antifashist Pavlos Fyssas, si dhe me tentativa vrasjeje ndaj peshkatarëve egjiptianë dhe aktivistëve komunistë.
Agimi i Artë u bë partia e tretë më e madhe në zgjedhjet greke të vitit 2012, duke përfituar nga kriza ekonomike dhe duke përhapur një retorikë nacionaliste dhe anti-emigracion.
Edhe pse partia mohoi zyrtarisht se ishte neonaziste, ajo përdorte simbolikë të frymëzuar nga nazizmi, dhe vetë Michaloliakos ka shfaqur simpati për ideologjinë naziste, duke bërë përshëndetjen hitleriane në tubime të partisë.
Ai dhe ish-deputetë të tjerë të partisë u shpallën fajtorë për drejtimin ose përkatësinë në një grup të organizuar kriminal.
Partia komuniste greke KKE tha se vendimi duhet të zhbëhet, duke shtuar se “krimet e Agimit të Artë nuk kanë afat në ndërgjegjen e popullit dhe rinisë”.
Lini një Përgjigje