Edhe pse flota amerikane është ende cilësisht më superiore se ajo e Kinës, kantieret detare amerikane kanë hyrë në një spirale rënieje. Përveç përqindjes minimale të prodhimit global të ndërtimit të anijeve, prodhuesit amerikanë vuajnë gjithashtu nga vonesa kronike në dorëzimin e anijeve të porositura...
Vitin e kaluar, Kina ndërtoi për herë të parë më shumë anije në kantieret e saj detare sesa pjesa tjetër e botës e marrë së bashku. Prej vitesh Kina është vendi që prodhon më shumë anije në botë, si për përdorim civil ashtu edhe ushtarak
Por vitet e fundit është thelluar animi i balancës së kësaj industrie drejt Kinës. Rëndësia e saj në fushën e tregtisë detare po rritet paralelisht me rëndësinë që ka në fushën e marinës detare dhe ky fakt shqetëson vende të ndryshme perëndimore, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara.
Industria e ndërtimit të anijeve, është në përgjithësi e përqendruar tek disa vende të botës, që kryesisht ndodhen në Azinë Lindore, ku në vitin 2023 u prodhuan më shumë se 90 për qind e anijeve të reja të dorëzuara tek porositësit.
Nga ana tjetër, Perëndimi ka përqindjen e mbetur të këtij tregu. Shumë ekspertë thonë se kjo rënie e ndërtimit të anijeve, mund të ketë pasoja të mëdha edhe nga pikëpamja ushtarake. Sipas të dhënave nga kompania britanike Clarkson Research e cila merret me transportin detar, me 51 për qind të prodhimit të anijeve, Kina është lojtarja më e rëndësishëm e ndërtimit të anijeve në nivel global, e ndjekur nga Koreja e Jugut dhe Japonia që kanë përkatësisht 24 dhe 15 për qind të tregut botëror.
Evropa përfaqëson vetëm 5 për qind. Shpërndarja gjeografike e kësaj industrie, ka ndryshuar shumë gjatë 2 dekadave të fundit. Edhe në vitin 2002, pjesa që zinte Kina në tregun e ndërtimit të anijeve ishte shumë e kufizuar, rreth 8 për qind. Nga ana tjetër, po atë vit Evropa zinte 24 për qind.
Rritja e jashtëzakonshme e prodhimit të kantiereve detare kineze, ndodhi në një kohë me promovimin e Kinës si “fabrika e botës”, pra si vendi kryesor prodhues në botë. Që nga hyrja e saj në Organizatën Botërore të Tregtisë në dhjetorin e vitit 2001, industria kineze ka përjetuar një zgjerim shumë të shpejtë.
Ajo ka ndikua në rritjen e ndjeshme si të eksporteve të produkteve të gatshme në pjesën tjetër të botës por edhe importeve të produkteve të ndërmjetme dhe lëndëve të para. Sektori i transportit detar i lidhur me vendin u rrit paralelisht: sepse Kina, përveçse një fuqi industriale, duhej të bëhej edhe një fuqi tregtare, e aftë të transportonte në mënyrë të pavarur mallrat që prodhonte.
Kompanitë kineze (shpeshherë filialet shtetërore të qeverisë së Pekinit) kanë përfituar gjithashtu nga ky fenomen, pasi kanë përfituar nga pozicionimi i tyre strategjik për të rrëmbyer një pjesë gjithnjë e më të madhe të tregut të ndërtimit të anijeve.
Sot aftësitë prodhuese të kësaj industrie, reflektohen jo vetëm në prodhimin e anijeve, por edhe në përmasat e flotës tregtare me flamur kinez, që gushtin e vitit të kaluar e kaloi atë greke, duke u vendosur për herë të parë si më e madhja në botë për sa i përket tonazhi të përgjithshëm bruto (vëllimi i përgjithshëm i mallrave që është në gjendje të transportojë).
Por nga pikëpamja teknologjike, Kina ende mbetet prapa konkurrenteve të saj dhe prodhimi i anijeve është i përqendruar mbi të gjitha tek ato konvencionale me kosto më të ulët, siç janë anijet me kontejnerë, transportuesit e shumicës që përdoren për transportin e mallrave që nuk futen në kontejnerë (siç janë drithërat dhe produktet minerale) ose cisterna.
Koreja e Jugut, me 26 për qind të prodhimit është fuqia e dytë më e madhe e ndërtimit të anijeve në botë, është ende përpara në segmentet e tregut me vlerën më të lartë, si në ndërtimin e cisternave për transportin e gazit të lëngshëm ashtu edhe të anijeve turistike.
Gjithsesi, vitet e fundit Kina ka arritur disa përparime në këtë fushë, dhe në janar të këtij viti hyri në shërbim anija e parë turistike e ndërtuar nga një kantier detar kinez. Anija “Adora Magic City”, është e para e prodhuar nga sipërmarrja e përbashkët midis Korporatës Shtetërore të Ndërtimit të Anijeve të Kinës (CSSC), kompania më e madhe kineze e ndërtimit të anijeve, dhe Korporatës US Carnival, një lidere botëror në sektorin e lundrimit.
Sipas ekspertëve të industrisë, Adora Magic City, bazohet në teknologjinë e zhvilluar tashmë në Evropë. Megjithatë, kantieret kineze kanë një avantazh të rëndësishëm ndaj konkurrencës së tyre kur bëhet fjalë për marrjen e porosive të reja: falë infrastrukturës së gjerë dhe aftësive industriale, kompanitë kineze janë në gjendje të reduktojnë ndjeshëm kohën e dorëzimit të porosisë, gjë që ndihmon në tërheqjen e klientëve të rinj.
Megjithatë, rritja e Kinës në ndërtimin e anijeve ka lidhje edhe me fuqinë e saj ushtarake. Me kalimin e viteve, Kina ka arritur të marrë porosi të mëdha nga kompanitë kryesore të transportit në mbarë botën, duke përfshirë edhe vende të tilla si Franca, Japonia dhe madje edhe Tajvani.
Suksesi tregtar i kantiereve detare kineze, i ka dhënë atyre mundësinë ta zgjerojnë infrastrukturën, të zgjerojnë aftësitë industriale dhe të trajnojnë një fuqi punëtore të specializuar, e cila nuk kufizohet vetëm në prodhimin civil të ndërtimit të anijeve.
Për shembull, CSSC, përfaqësonte në vitin 2021 rreth 21 për qind të të gjithë tregut të ndërtimit të anijeve në botë, por në të njëjtën kohë ishte edhe prodhuesi kryesor i anijeve të përdorura nga Marina Kineze.
Matthew Funaiole, studiues në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me seli në Uashington, që merret kryesisht me Kinën, tha së fundmi për Wall Street Journal, se ka shenja që tregojnë një përzierje gjithnjë e më të madhe midis aktiviteteve civile dhe ushtarake në kantieret detare kineze.
Ndikimi i zgjerimit të ndërtimit të anijeve të Kinës tek aftësitë e saj ushtarake, mund të vërehet shumë qartë duke parë numrin e flotës së Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA).
Nëse në vitin 2005, anijet nën komandën e PLA ishin 216, në vitin 2022 ky numër arriti në 351.
Dhe deri në vitin 2030, ushtria kineze mund të mbështetet tek 435 anije ushtarake. Sa për krahasim, gjatë gjithë kësaj periudhe numri i anijeve që është dispozicion të Marinës së Shteteve të Bashkuara ka qenë rreth 290, dhe po kaq duket se do të mbetet deri në fund të kësaj dekade.
Edhe pse flota amerikane është ende cilësisht më superiore se ajo e Kinës, kantieret detare amerikane kanë hyrë në një spirale rënieje. Përveç përqindjes minimale të prodhimit global të ndërtimit të anijeve, prodhuesit amerikanë vuajnë gjithashtu nga vonesa kronike në dorëzimin e anijeve të porositura.
Përqendrimi thuajse ekskluziv tek prodhimi ushtarak dhe humbja e pjesës në prodhimin civil, e ka dëmtuar gjendjen e kompanive të ndërtimit të anijeve që i lejuan shekullin e kaluar Shtetet e Bashkuara të ngriheshin si fuqia detare kryesore në botë./Përshtati Pamfleti nga “Il Post”
Lini një Përgjigje