TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Dhjetor 2025, 21:46

Karrigia bosh e Serbisë në Samitin e BE: Bojkot, sfidë apo divorc?

Shkruar nga Pamfleti
Karrigia bosh e Serbisë në Samitin e BE: Bojkot, sfidë apo
Presidenti serb Vuçiç, me Presidenten e KE Ursula von der Leyen dhe Presidentin e Këshillit Evropian António Costa

Serbia bojkotoi samitin BE–Ballkani Perëndimor në shenjë proteste ndaj vendimit të Brukselit për të mos hapur klasterin 3 në negociatat e anëtarësimit. Mungesa e saj është interpretuar si sinjal i përplasjes në rritje mes Beogradit dhe BE-së, ndërsa kritikat ndaj politikave të Vuçiçit dhe mungesa e reformave reale po e thellojnë izolimin diplomatik të Serbisë.

Karrigia bosh e Serbisë në samitin BE–Ballkani Perëndimor është më shumë se një protestë politike. Ajo simbolizon një përplasje të thelluar mes Brukselit dhe Beogradit, si dhe dështimin e politikës europiane për Ballkanin, shkruan sot gazeta gjermane “Berliner Zeitung”.

Sipas të përditshmes gjermane, mungesa demonstrative e përfaqësuesve të Serbisë në samit është pasojë direkte e vendimit të fundit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, i cili refuzoi përsëri hapjen e klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë, një hap simbolik, po të kemi parasysh se dialogu mes Beogradit dhe Brukselit është bllokuar praktikisht prej katër vitesh.

Sipas “Berliner Zeitung”, arsyet për këtë bllokadë janë të shumta dhe pasqyrojnë rritjen e mosbesimit nga kryeqytetet e BE-së ndaj politikave të presidentit Aleksandar Vuçiç. Sipas burimeve diplomatike që presidenca daneze e BE-së ka ndarë me Beogradin, edhe Gjermania tashmë është rreshtuar kundër hapjes së klasterit të ri, së bashku me vendet baltike, Suedinë, Finlandën dhe fqinjët Kroacia e Bullgaria.

Beogradi këtë e përjeton si një fyerje dhe si sinjal se reformat e ndërmarra në Serbi po shpërfillen. Drejtori i Institutit për Studime Europiane në Beograd, Slobodan Zeçeviç, ka deklaruar për gazetën se bojkoti i Vuçiçit është një shenjë zhgënjimi për mënyrën se si BE po e trajton Serbinë. Sipas tij, Serbia i ka përmbushur kërkesat e Brukselit, por megjithatë nuk i hapet rruga përparimit në negociata.

Nga ana tjetër, shtetet anëtare të BE-së kanë një tjetër vlerësim. Këshilli i BE-së ka rikujtuar qartë se përparimi në procesin e anëtarësimit varet nga përmirësimet në dy fusha thelbësore: sundimi i ligjit dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Pikërisht në këto dy fusha shumë vende të BE-së shohin mungesa të mëdha dhe mungesë të vullnetit politik për reforma reale.

Një faktor tjetër kyç në vendimin për të bllokuar klasterin është edhe refuzimi i Serbisë për të harmonizuar politikën e saj të jashtme me atë të BE-së, përfshirë mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Protestat masive të brendshme që zgjasin prej më shumë se një viti, tensionet në sektorin mediatik dhe akuzat për minimin e institucioneve demokratike, po ashtu kanë shtuar dyshimet se Beogradi nuk është realisht i përkushtuar ndaj reformave.

Gazeta vlerëson se një largim i Serbisë nga kursi europian do të ishte një katastrofë politike për Evropën. "Duke frustruar vazhdimisht vendin më të rëndësishëm të rajonit, BE po arrin të kundërtën e asaj që pretendon se dëshiron të arrijë", vijon analiza. Në vend që të eksportojë stabilitet, Brukseli, përmes qëndrimeve të paqarta dhe hezitimit, po krijon një boshllëk të rrezikshëm pushteti që aktorë si Kina janë të gatshëm ta shfrytëzojnë.

Karrigia bosh e Serbisë, sipas gazetës gjermane, nuk është vetëm një akt simbolik, por një paralajmërim për dështimin e një politike që rrezikon të humbasë kontrollin mbi "oborrin e vet", ndërsa rivalët gjeopolitikë shtojnë ndikimin.

Megjithatë, edhe Vuçiç po luan një lojë të rrezikshme. Nga njëra anë dëshiron të tregojë forcë dhe sovranitet para publikut të brendshëm, por nga ana tjetër po e shtyn Serbinë drejt një izolimi gjithnjë e më të thellë. Falënderimet që ai i drejtoi presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen, kryeministrit portugez António Costa dhe presidentit francez Emmanuel Macron, duket se synojnë të përçajnë bllokun europian, duke nxitur ndarje mes përkrahësve të tij dhe vendeve kritike ndaj Beogradit. Por mbetet për t'u parë nëse kjo strategji do të sjellë ndonjë rezultat real. /Pamfleti

serbi be vucic samit

1 Komente

  1. P
    PRO-BE-KUNDER

    BE-ja ishte një koncept i mirë teorik në fillim. Tani në matematikë ka ekuacion me 27 variabla! Hyrja është problem, mbijetesa është shumë më e madhe! Serbia mori vendimin e duhur.

    Lini një Përgjigje