
Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut në territorin e pushtuar palestinez ka dënuar pamje që tregojnë trupat e palestinezëve që shtyhen nga tarraca e një pallati nga trupat izraelite gjatë një bastisjeje në Bregun Perëndimor të pushtuar të enjten.
Me anë të një postimi në rrjetin “X”, OKB deklaroi se çdo dëmtim pas vdekjes ndaj trupave të vrarë nga forcat e sigurisë mund të pengojë Izraelin për të hetuar një vrasje potencialisht të paligjshme.
“Ne dënojmë përdhosjen e trupave të palestinezëve nga forcat izraelite të sigurisë dje, më 19 shtator, në Qabatiya, Jenin. Videot tregojnë se trupat shkelmohen dhe hidhen nga çatia që buldozerët t'i marrin. Trajtimi i panevojshëm ose mosrespektues i mbetjeve njerëzore nuk është në përputhje me mbrojtjen e dinjitetit bazë njerëzor të të vdekurve dhe mund të jetë trajtim mizor, çnjerëzor ose poshtërues i familjeve të burrave të vdekur.
Çdo dëmtim pas vdekjes në trupat e të vrarëve nga forcat e sigurisë mund të pengojë gjithashtu aftësinë e Izraelit për të hetuar një vrasje potencialisht të paligjshme”, thuhej në reagimin e OKB-së në “X”.
Edhe SHBA ka reaguar lidhur me rastin, Shtëpia e Bardhë tha se ka parë pamje “thellësisht shqetësuese” të ushtarëve izraelitë që shtyjnë tre trupa në dukje të pajetë nga një tarracë gjatë një bastisjeje në Bregun Perëndimor të pushtuar të enjten.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, u tha gazetarëve se kishte kërkuar një shpjegim nga Izraeli.
“E kemi parë atë video dhe e kemi parë thellësisht shqetësuese. Nëse vërtetohet se është autentike, do të përshkruante qartë sjellje të neveritshme dhe skandaloze nga ushtarët profesionistë”, tha ai.
Kujtojmë se në pamjet e publikuara më herët, tre ushtarë mund të shihen duke marrë atë që duket të jetë një trup i ngurtë dhe duke e tërhequr zvarrë drejt skajit të një çatie dhe më pas i hedhin poshtë.
Në një çati ngjitur, ushtarët mbajnë një trup tjetër në dukje të pajetë nga gjymtyrët e tij dhe e lëkundin në buzë të ndërtesës.
Lini një Përgjigje