
Forumi i Familjeve të Pengjeve mobilizon Izraelin në një grevë kombëtare kundër luftës në Gaza, ndërsa Netanyahu i cilëson protestuesit si ‘aleatë të Hamasit...
Izraeli është përfshirë sot nga një grevë e përgjithshme kombëtare dhe protesta masive të thirrura nga Forumi i Familjeve të Pengjeve, me kërkesën për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të arritur një marrëveshje për lirimin e pengjeve ende në duart e Hamasit.
Që në orët e para të mëngjesit, dhjetëra mijëra qytetarë bllokuan autostradat dhe rrugët kryesore të vendit, duke e kthyer Tel Avivin në epiqendrën e revoltës civile. Organizatorët parashikojnë se deri në mbrëmje, mbi një milion njerëz do të mbushin Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv, ndërsa qindra nisma janë paralajmëruar në gjithë vendin.
Kryeministri Benjamin Netanyahu reagoi ashpër ndaj grevës, duke e cilësuar si një akt që i shërben armikut.

“Ata që sot kërkojnë fundin e luftës, jo vetëm që forcojnë qëndrimin e Hamasit dhe vonojnë lirimin e pengjeve, por sigurojnë që tmerret e 7 tetorit të përsëriten. Kjo do të na çojë drejt një lufte të pafundme”, deklaroi Netanyahu, duke insistuar se kontrolli i sigurisë në Rripin e Gazës dhe çarmatimi i Hamasit mbeten kushtet themelore për përfundimin e konfliktit.
Policia izraelite njoftoi se gjatë protestave janë arrestuar 38 persona, prej të cilëve 19 vetëm në Tel Aviv. Forcat e rendit thanë se kanë marrë “masa të rrepta kundër atyre që shkelin ligjin dhe rrezikojnë rendin publik”, ndërsa përleshjet mes protestuesve dhe policisë u shënuan sidomos në zonat ku u bllokuan autostradat.

Një moment që tërhoqi vëmendjen e mediave ishte shfaqja publike e aktores izraelite Gal Gadot, e njohur për rolin e saj si Wonder Woman dhe së fundmi si Mbretëresha e Keqe në filmin e Disney-t Borëbardha. Gadot vizitoi Sheshin e Pengjeve, ku u pa duke përqafuar dhe biseduar me Lishay Miran-Lavi, bashkëshorten e një pengu të mbajtur nga Hamasi.
Aktorja, e cila ka qenë e zëshme në rrjetet sociale në mbështetje të familjeve të pengjeve, i dha edhe më shumë jehonë grevës mbarëkombëtare. Pamjet e saj mes turmës janë shpërndarë gjerësisht nga Forumi i Familjeve të Pengjeve.
Grevën dhe protestat e sotme, të cilat kanë bllokuar jetën e përditshme në Izrael, analistët i lexojnë si sfidën më të madhe të brendshme ndaj qeverisë Netanyahu që nga fillimi i luftës në Gaza.
Ndërsa qeveria insiston se fitorja ushtarake dhe çarmatimi i Hamasit janë të domosdoshme, një pjesë gjithnjë e më e madhe e shoqërisë izraelite kërkon armëpushim të menjëhershëm dhe kthimin e pengjeve, duke frikësuar Tel Avivin zyrtar se fronti i brendshëm po plasaritet. /Pamfleti
Lini një Përgjigje