TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Tetor 2025, 21:25

Gaza, varri i diplomacisë ndërkombëtare!

Shkruar nga Patrick Wintour

Gaza, varri i diplomacisë ndërkombëtare!

Gaza, simboli i një bote pa rregulla: Diplomacia pas 7 tetorit në krizë të plotë

Ndërsa fuqitë botërore përpiqen të shmangin katastrofën, plani i paqes i udhëhequr nga Trump, Franca dhe vendet arabe duket si një rreze shprese në errësirën diplomatike më të thellë të shekullit XXI.

George Mitchell, arkitekti amerikan i marrëveshjes së paqes në Irlandën e Veriut, e përshkroi diplomacinë si 700 ditë dështim dhe një ditë sukses. Por në Gazë, tragjikisht, kemi pasur 730 ditë dështim dhe asnjë ditë sukses. Shkatërrimi, numri i viktimave dhe përhapja e konfliktit përtej kufijve përfaqësojnë një monument turpi për diplomacinë moderne dhe mbetjet e së drejtës ndërkombëtare, ndoshta momenti më i ulët i saj që nga viti 1939.

Disa mund të thonë se dështimi ishte i pashmangshëm, pasi konflikti është bërë aq i rrënjosur sa mund të zgjidhet vetëm me forcë ushtarake, përmes fshirjes apo nënshtrimit të njërës palë. Megjithatë, në Perëndim po konsolidohet një konsensus se ky konflikt u menaxhua keq në mënyrë katastrofike, sidomos nga liderët europianë që ia deleguan përgjegjësinë një administrate demokratike amerikane që romantizoi Izraelin modern dhe keqlexoi reagimin e tij ndaj 7 tetorit, duke polarizuar Perëndimin.

Në SHBA, pendohet edhe vetë ish-ekipi i Joe Biden. Në librin e saj të fundit, Kamala Harris shkruan: “I luta Joe-s që të tregonte të njëjtin empati ndaj civilëve palestinezë të pafajshëm, siç tregonte ndaj ukrainasve. Por ai nuk mundej. Ndërsa thoshte me pasion ‘Unë jam sionist’, fjalët për palestinezët tingëllonin të ftohta dhe të sforcuara.”

Benjamin Netanyahu, sipas saj, nuk ia shpërbleu kurrë besnikërinë Biden-it, sepse dëshironte rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas Andrew Miller, ish-ndihmës sekretar amerikan i shtetit, “Demokratët nuk vepruan si superfuqi. U vetëbindën se nuk mund të ndryshonin asgjë në sjelljen e Izraelit.”

Nga ana tjetër, Trump nuk vuante nga komplekse inferioriteti. Megjithatë, edhe ai ngeci në përpjekjen për të çliruar pengjet pa rifilluar luftimet, një objektiv që dështoi në mars.

Përballë dështimeve amerikane, Franca dhe Arabia Saudite morën iniciativën përmes një konference të OKB-së për zgjidhjen me dy shtete. Plani për “ditën pas” parashikon çarmatimin e Hamasit, ndalimin e tij nga politika, krijimin e një qeverie tranzitore teknokratësh dhe reformimin real të Autoritetit Palestinez, përfshi zgjedhje të reja dhe mbikëqyrje ndërkombëtare.

Ky plan, i përkrahur nga Emiratet, Egjipti, Rand Corporation dhe qendra Wilson, u përfshi në deklaratën e Nju Jorkut, miratuar nga OKB në korrik dhe Asambleja e Përgjithshme në shtator. Izraeli dhe SHBA votuan kundër.

Një diplomat europian theksoi: “Thyerja e monopolit amerikan mbi procesin e paqes ishte momenti i vërtetë diplomatik. Nuk ishte njohja e shtetit palestinez, por lidhja e armëpushimit me një plan konkret pas tij.”

Në gusht, në një takim në Shtëpinë e Bardhë, Jared Kushner, Tony Blair dhe Witkoff bindën Trump se dëbimi masiv i palestinezëve ishte një vijë e kuqe për Jordaninë dhe Egjiptin. Trump e hoqi nga axhenda këtë skenar.

Në shtator, u prezantua “plani Trump”, i vagullt por i mbështetur nga shumë shtete arabe. Netanyahu, ndërkohë, u përpoq ta sabotonte planin duke kërkuar që Hamasi ta refuzonte. Por përgjigjja e Hamasit, e hartuar nga Katari, ishte një “po, por…” që Trump e interpretoi si pranim.

Në këmbim, Hamasi ofroi dorëzimin e pengjeve. Edhe pse pa afat për zgjedhje, plani parashikon një qeveri teknokratike të drejtuar nga Blair, me mbështetje nga diaspora palestineze. Sfidat do jenë të mëdha, sidomos lidhja me politikën e brendshme palestineze dhe zgjedhjet e ardhshme.

Robert Malley përmbyll: “Paqja nuk mund të vijë duke fshirë narrativat historike të palëve. Amerikanët kanë gabuar duke menduar se mund ta mbyllin konfliktin me një marrëveshje në letër pa kuptuar thelbin e përplasjes historike.

Në fund të fundit, ndërsa Gaza vazhdon të digjet, reputacioni i Izraelit është i dëmtuar rëndë, veçanërisht në botën arabe dhe jugun global. Në Evropë, protestat janë të përditshme. Një valë e re diplomacie po lind, por ajo duhet të përballet me një realitet brutal: popuj që duan vetëm të mbijetojnë dhe një elitë politike që nuk heq dorë nga pushteti dhe lufta./Përshtati “Pamfleti” nga “The Guardian”

1 Komente

  1. T
    Toni Zhulsi

    Pse kur ka pasut reputacion izraeli kur thoni qe , reputacioni i Izraelit eshte demtuar rende!?

    Lini një Përgjigje