
Në zemër të këtij fenomeni qëndron një paradoks i natyrës njerëzore: dëshira e njëkohshme për liri dhe komoditeti nga autoriteti.
2024-a u quajt viti i demokracisë, pasi votoi gjysma e popullsisë së botës. Por realiteti është se shumë prej zgjedhjeve ishin të rreme dhe se bota është sot plot me diktatorë brutalë dhe liderë autoritarë. Në radhët e këtyre të fundit, këtë muaj renditet edhe presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump, të cilit i pëlqejnë diktatorët, dhe flet sikur do që të jetë vetë një i tillë.
Por për çfarë lloj diktature po flasim? Ato janë disa lloje. Kështu kemi kleptokraci të drejtuara nga familjet si Azerbajxhani, dhe shtete policore si Rusia e presidentit Vladimir Putin. Ka diktatura komuniste si ajo e Kinës, teokraci si në Iran dhe regjimet pseudo-demokratike me në krye autokratë të zgjedhur me votë si Erdogan në Turqi apo Orban në Hungari.
Po si ka mundësi që në këtë epokë të ndritur, qeniet njerëzore e gjejnë ende veten dhe kaq shpesh në mëshirën e njerëzve autoritarë? Udhëheqësi komunist Xi Jinping qëndron në krye të strukturës së pushtetit bizantin të Pekinit, përmes një rrjeti frike, aleancash personale, nacionalizmit të zjarrtë dhe ndjenjës së ankesës kombëtare.
Kim Jong Un e mban Koresë së Veriut nën një kontroll të hekurt përmes kërcënimit dhe realitetit të kampeve të punës dhe vrasjeve, bashkë me kultin e personalitetit. Alexander Lukashenko i Bjellorusisë preferon torturimin e armiqve të tij.
Nicolas Maduro i Venezuelës, Miguel Diaz-Canel i Kubës dhe Daniel Ortega i Nikaraguas ofrojnë versione më të buta të diktaturës. Ekziston frika se Narendra Modi në Indi mund të jetë duke ecur në këtë rrugë. Është interesant fakti që jo të gjithë liderët autoritarët sundojnë me forcë.
Për shembull presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, siguroi rizgjedhjen në detyrë me një fitore të thellë, dhe e konsolidoi pushtetin pëmes shtypjes së zërave kundër, së bashku me mbajtjen e premtimeve kryesore të fushatës për reduktimin e krimit. Por ai e bëri këtë duke shkelur liritë civile dhe burgosur pa dallim njerëzit.
Dhe vështirë se SHBA-ja është e imunizuar nga joshja ndaj liderit të fortë. Trump tha se donte të bëhej “diktator në ditën e parë në detyrë” dhe se “amerikanët nuk do të duhet të votojmë më në të ardhmen”. Ai thuri lavde për Kim, Putin dhe Xi. Po çfarë është kaq tërheqëse tek heqja dorë nga të drejtat, akt që paguhet shpesh me gjak?
Në zemër të këtij fenomeni qëndron një paradoks i natyrës njerëzore: dëshira e njëkohshme për liri dhe komoditeti nga autoriteti. Thomas Hobbes argumentoi tek kryevepra e tij ”Leviathan”, se përballë pasigurisë së perceptuar, njerëzit ia dorëzojnë me dëshirë liritë e tyre një sundimtari që premton rend.
Dhe Erich Fromm vuri në dukje, në librin “Arratisje nga liria”, se kompleksiteti i demokracisë mund të jetë shumë i lodhshëm, ndërsa liderët autoritarët ofrojnë një strehë psikologjike nga barra e vendimmarrjes. Kjo shpjegon ndoshta edhe arsyen pse liderët autoritarët mund të ngjiten në pushtet përmes mbështetjes së vërtetë (ose e marrin pushtetin me forcë me një kundërshtim minimal).
Por sapo marrin pushtetin, ata grabisin zakonisht qytetarët e verbër, fshehin pasuri të mëdha jashtë vendit, pasurojnë veten dhe miqtë e tyre, dhe priren të qëndrojnë shumë gjatë në pushtet, pavarësisht nga fatkeqësitë që shkaktojnë. Kështu “rizgjedhja” e Putinit në vitin 2024 është një farsë, pasi procesi u manipulua.
Nuk garoi asnjë kandidat opozitar serioz, dhe kundërshtari i tij kryesor u vra në një gulag. Një diktator si Putin, krijon një atmosferë besnikërie të detyruar, ku mospajtimi perceptohet si i rrezikshëm dhe i kotë. Betimet publike, propaganda, media e kapur dhe mitingjet masive transmetojnë forcën e diktatorit dhe i bëjnë individët të dyshojnë nëse pakënaqësia e tyre duhet të ndahet me të tjerët.
Ata krijojnë një atmosferë pathyeshmërie, duke krijuar perceptimin se rezistenca është e kotë. Gjithashtu besohet gjerësisht se Putini i vret kundërshtarët, nga ish-agjenti sekret Alexander Litvinenko (i helmuar me polonium në Britani) tek gazetarja Anna Politkovskaya (e vrarë në ashensorin e pallatit ku jetonte) tek lideri i opozitës Alexei Navalny (vdekur vitin e kaluar në burg).
Këto janë veçori dhe jo të meta: Përhapja e frikës është thelbi i sistemit diktatorial.
Ish-udhëheqësi i Sirisë Bashar Al-Assad zhvilloi një luftë civile shkatërruese, duke përdorur armë kimike dhe tortura për 13 vjet, përpara se të binte muajin e kaluar. Po përse u desh kaq shumë kohë që ta braktisnin pasuesit e paktë që i kishin mbetur? Vonesa erdhi nga një përzierje e besnikërisë, fragmentimit dhe frikës. Regjimi i Assad kultivoi varësinë nga lidershipi i tij brenda ushtrisë, duke përfshirë oficerë besnikë alevitë (një pakicë fetare) në pozicione kyçe, ndërsa i mënjanoi disidentët. Ndërkaq ushtria kishte frikë nga pasojat e shpërbërjes, pasi Assadi e portretizoi veten si një mburojë kundër kaosit dhe dhunës sektare.
Po pse Perëndimi qëndroi mënjanë dhe i lejoi mizoritë e tij? Sepse, alternativa mund të jetë gjithmonë më e keqe. Një shembull paralajmërues është Libia, që po vuan prej më shumë se një dekadë nga dhuna midis fraksioneve dhe destabiliteti, që kur Britania, Franca, SHBA etj ndihmuan në rrëzimin e diktatorit Muammar El-Gaddafi në vitin 2011.
Dhe tani një grupim xhihadist gjoja i reformuar, po përpiqet të formojë një qeveri të bashkuar në Siri. Ndërsa është e vështirë të imagjinohet se çfarë është më e keqe se Assadi, vetëm koha do të tregojë nëse Hay’at Tahrir Al-Sham është më i mirë.
Kur njerëzit arrijnë të njohin dëmin e plotë të shkaktuar nga një diktator, është shpesh tepër vonë, siç mund të jetë tani për Rusinë. Putin kontrollon ushtrinë, policinë dhe gjyqësorin përmes patronazhit dhe frikës. Në këtë fazë, largimi i diktatorit kërkon çmontimin e një strukture të tërë pushteti, frike dhe besnikërie.
Po çfarë është ajo që përfundimisht i jep fund mbretërimit të një lideri autoritar? Ndonjëherë vdekja, por shpesh janë ata brenda rrethit të tij që kërkojnë ndryshim. Pra një grusht shteti në pallat, ndonjëherë i udhëhequr nga njerëzit e armatosur. Kështu ndodhi me Rumaninë e Nicolae Çaushescu.
Për pak i ndodhi edhe Adolf Hitlerit por të mos dështonte plani i Claus von Stauffenberg. Në fund ishte lufta dhe vetëvrasja që e rrëzoi Fyhrerin. Së fundi, diktatorët prekin diçka që është thelbësore në natyrën njerëzore: respektin para një dhunuesi.
Putin, që ka territorin më të madh në botë, dëshiron më shumë territor në Ukrainë. Xi, që konkurron për popullsinë më të madhe në botë, dëshiron më shumë njerëz në Tajvan. Benjamin Netanyahu, që ka shërbyer më gjatë se çdo kryeministër izraelit, dëshiron më shumë kohë. Njerëzit i shohin këto zullume, neveriten, por mbeten të nënshtruar. Njerëzimi do të jetë më i mirë një ditë. Por mjerisht jo sot./ Përshtati "Pamfleti" Nga“Newsweek”
Shënim:Dan Perry, ish-redaktor i Newsweek për çështjet e Lindjes së Mesme, sot redaktor për Evropën dhe Afrikën në agjencinë e lajmeve Associated Press.
Lini një Përgjigje