
Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, pritet të shpallë sot zyrtarisht njohjen e Palestinës si shtet, duke përmbushur një premtim të dhënë muaj më parë. Vendimi vjen pas kushteve që ai vendosi në korrik, si arritja e një armëpushimi me Hamasin, kushte që Izraeli nuk kishte gjasa t’i pranonte.
Starmer do të theksojë se njohja reflekton “të drejtën e patjetërsueshme” të popullit palestinez dhe “përgjegjësinë morale” të Britanisë për të mbajtur gjallë zgjidhjen me dy shtete, pavarësisht shkatërrimit në Gaza dhe zgjerimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor.
Ky vendim do të paraqitet zyrtarisht nga qeveria britanike në Konferencën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork këtë javë, pas një nisme diplomatike të nisur nga presidenti francez Emmanuel Macron. Edhe Kanadaja dhe Australia pritet të njohin Palestinën, ndonëse mund të kërkojnë që Hamasi të çarmatoset.
Laburistët tradicionalisht e kanë lidhur këtë hap me procesin e paqes – një perspektivë që sot duket më e largët se kurrë.
Çfarë do të thotë kjo?
Edhe pse është një vendim historik, ai ngre më shumë pyetje sesa përgjigje. Vetë Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, pranoi se “njohja nuk do të ndryshojë gjendjen në terren”, pasi kjo mund të arrihet vetëm përmes negociatave.
Deri tani, 147 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së e njohin Palestinën, e cila ka statusin e vëzhguesit të përhershëm, por jo të drejtën e votës. Çdo përpjekje për status të plotë duhet të kalojë në Këshillin e Sigurimit, ku SHBA ka të drejtë vetoje.
Starmer ka theksuar gjithashtu se nuk e njeh Hamasin si qeveri legjitime, duke e cilësuar atë “organizatë terroriste brutale”. Kufijtë e shtetit palestinez, që janë negociuar për dekada me Izraelin, mbeten ende të paqartë.
Kritika dhe polemika
Njohja është kundërshtuar nga administrata e Trump-it. Sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, e ka quajtur këtë vendim “një dhuratë për Hamasin” dhe një akt thjesht simbolik.
Në Britani, opozita konservatore e ka akuzuar Starmerin për “një përpjekje të dëshpëruar dhe jo të sinqertë për të qetësuar deputetët e tij”. Ndërkohë, popullariteti i tij është në rënie të lirë, me një bilanc prej -42% në sondazhe.
Më shumë se një e treta e deputetëve laburistë i kërkuan në korrik që ta njihte Palestinën, por disa tani duan hapa më të ashpër, përfshirë ndalimin e shitjeve të armëve për Izraelin. Një komision i OKB-së së fundmi e akuzoi Izraelin për gjenocid, gjë që ka rritur presionin mbi qeverinë britanike.
Megjithatë, një pjesë e deputetëve laburistë i kundërshtojnë këto hapa, duke theksuar se edhe Hamas ka përgjegjësi. Grupi “Labour Friends of Israel” theksoi: “Ky konflikt nuk varet vetëm nga Izraeli… Hamasi mund ta ndalonte menjëherë duke liruar pengjet dhe duke dorëzuar armët.”
Reagimet emocionale
Vendimi ka shkaktuar zemërim edhe tek familjet e pengjeve izraelite në Gaza, prej të cilëve besohet se vetëm 20 janë ende gjallë. Ata e akuzojnë Starmerin se nuk e vuri lirimin e pengjeve si kusht për njohjen.
Ilay David, vëllai i një pengu që së fundmi u shfaq në një video të Hamasit, tha: “Duke njohur Palestinën në këtë moment, Starmer po u jep Hamasit një armë të re në negociata. Kjo është gjëja e fundit që na duhet tani.”
Edhe Kryerabini i Britanisë, Sir Ephraim Mirvis, e ka kritikuar hapin duke thënë se kjo është “njohje e pakushtëzuar, pa asnjë garanci për një qeveri funksionale, demokratike apo përkushtim ndaj paqes nga ana palestineze”. /Përshtatur nga "Sky News"
Lini një Përgjigje