TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Maj 2026, 21:18

Europa përfshihet nga vala ekstreme e të nxehtit, thyhen rekordet e majit

Shkruar nga Pamfleti
Europa përfshihet nga vala ekstreme e të nxehtit, thyhen rekordet e
Foto ilustruese

Mbi 20 qytete në Francë kanë regjistruar temperaturat më të larta të shënuara ndonjëherë për muajin maj, ndërsa edhe Britania e Madhe theu rekordin kombëtar të të nxehtit për këtë periudhë, në kuadër të një vale ekstreme që ka përfshirë Europën Perëndimore.

Shërbimi meteorologjik britanik bëri të ditur se temperatura arriti në 33.5 gradë Celsius në Heathrow pranë Londrës, duke vendosur rekord të ri për muajin maj. Meteorologët paralajmërojnë se temperaturat mund të ngjiten deri në 35 gradë gjatë ditëve në vijim.

Edhe Franca dhe Spanja po përballen me temperatura shumë mbi normalen sezonale. Sipas “Météo France”, temperaturat në disa zona po rezultojnë 12 deri në 13 gradë më të larta se mesatarja për këtë periudhë.

Agjencia franceze e motit e cilësoi fenomenin si një episod “të parakohshëm, të jashtëzakonshëm dhe afatgjatë” të të nxehtit, që pritet të zgjasë edhe disa ditë të tjera.

Sipas meteorologëve francezë, vala e të nxehtit është shkaktuar nga një “kupolë nxehtësie”, ku masa të nxehta ajri nga Maroku janë bllokuar mbi Europë nga presioni i lartë atmosferik.

Autoritetet franceze paralajmërojnë se fenomene të tilla do të bëhen “më të shpeshta, më intensive dhe më të hershme” për shkak të ndryshimeve klimatike.

Në Francë, 31 departamente janë vendosur në alarm për temperatura të larta, ndërsa tetë prej tyre në nivel portokalli, niveli i dytë më i lartë i rrezikut.

Parisi regjistroi 32.6 gradë Celsius të dielën, ndërsa në Bordo temperatura arriti në 34.2 gradë. Në qytetin Brive-la-Gaillarde u regjistruan 35.3 gradë, gati dy gradë më shumë se rekordi i mëparshëm për muajin maj.

Një person humbi jetën gjatë një gare vrapimi 10 kilometra pranë Parisit, ndërsa 10 persona të tjerë u dërguan në spital në gjendje kritike për shkak të temperaturave të larta.

Në Spanjë, temperaturat në disa zona jugore arritën në 38 gradë gjatë fundjavës, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se deri të premten në disa rajone mund të regjistrohen deri në 40 gradë Celsius.

Autoritetet spanjolle paralajmëruan edhe për të ashtuquajturat “net tropikale”, ku temperaturat gjatë natës nuk zbresin nën 20 gradë Celsius.

Ekspertët e klimës paralajmërojnë se valët e të nxehtit në Europë po shfaqen gjithnjë e më herët gjatë vitit, si pasojë e ndryshimeve klimatike.

 

nxehti vape europa

Lini një Përgjigje