
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan ka deklaruar se do të ketë më shumë hapa në përgjigjen amerikane ndaj sulmit me dron në Jordani , i cili vrau tre ushtarë të dielën e kaluar.
Përveç sulmeve ajrore të përbashkëta me Mbretërinë e Bashkuar ndaj rebelëve Houthi në Jemen, SHBA ka kryer sulme ajrore ndaj objektivave të mbështetur nga Irani në Siri dhe Irak.
Duke folur për mediat amerikane, Sullivan deklaroi se sulmet e së premtes, ishin vetëm fillimi i përgjigjes ndaj vrasjes së tre ushtarëve amerikanë.
“Ajo që ndodhi të premten ishte fillimi, jo fundi, i përgjigjes sonë dhe do të ketë më shumë hapa - disa të parë, disa ndoshta të paparë. Unë nuk do ta përshkruaj atë si një fushatë ushtarake pa fund", tha ai.
Ai gjithashtu shtoi se nuk ka asnjë shenjë se Irani ka ndryshuar politikën e tij ndaj grupeve të milicisë dhe SHBA do të përgjigjet nëse vazhdon të shohë kërcënime dhe sulme.
Sullivan theksoi ndër të tjera se SHBA-ja është e përgatitur për përgjigje ndaj sulmeve të saj dhe beson se deri më tani sulmet kishin efekt të mirë në degradimin e aftësive të milicisë./CNN
Lini një Përgjigje