TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Gusht 2023, 15:20

Trump i shpall ‘luftë’ drejtësisë amerikane, ish presidenti nis fushatën e akuzave

Shkruar nga Pamfleti

Trump i shpall ‘luftë’ drejtësisë amerikane, ish

Ish presidenti i SHBA-së Donald Trump ka vazhduar me fushatën e tij elektorale dhe me sulmet ndaj sistemit të drejtësisë.

Në mitingun e parë masiv që nga ngritja e padisë për përpjekje për të përmbysur rezultatin zgjedhor të 2020-s, ai tha se procesi gjyqësor ndaj tij është i bazuar në broçkulla.

Bëhet fjalë për ndërhyrje në zgjedhje, por kjo nuk mjafton. Presidenti ynë i kërrusur tani do që ky prokuror rugaç të depozitojë një urdhër gjykate për të më hequr të drejtat e mia nga Amendamenti i Parë, në mënyrë që të mos flas dot. Ndaj le të na dëgjojnë: ne nuk duam të na flisni për këtë çëshje, që është një çështje qesharake”, tha Trump.

Gjykatësja Tanya Chutkan ka urdhëruar avokatët e Donald Trumpit dhe prokurorët federalë që të paraqiten në gjykatë të premten, për një seancë dëgjimore lidhur me rregullat se si mund të përdoren dhe ndahen provat që kanë prokurorët për aktpadinë e fundit kundër ish presidentit, që përmban akuza për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe nxitje të protestave të dhunshme në Kapitol më 6 janar 2021.

Prokurorët kërkuan nga gjykatësja Chutkan që të nxjerrë një urdhër, që provat konfidenciale të mos bëhen publike nga zoti Trump, duke sugjeruar se ai mund të përdorte të dhënat e rastit për të frikësuar dëshmitarët.

Avokatët e Trump nga ana tjetër thonë se një urdhër i tillë është shumë i gjerë dhe do të kufizonte të drejtën e fjalës së lirë të ish presidentit, e garantuar nga Amendamentit të Parë i Kushtetutës.

Një padi e katërt pritet të ngrihet në fund të këtij muaji në Xhorxhia, ku një prokurore lokale, ka hetuar zotin Trump dhe aleatët e tij, për ndërhyrje në zgjedhjet e këtij shteti.

Sipas një përllogarie të bërë nga portali ‘Politico’, nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat e ngritura deri tani dhe i jepet dënimi maksimal, zoti Trump mund të përballet me deri 641 vite burg.

Megjithatë, gjyqet nuk janë zhvilluar ende dhe ekspertët ligjorë thonë se ish-presidenti mund të shmangë dënimin me burg, duke negociuar me prokurorët për dënime të lehta në shkëmbim të pranimit të fajësisë dhe duke apeluar dënimet e mundshme.

Problemet ligjore nuk e kanë dëmtuar atë mes kandidatëve të tjerë republikanë për president. Ai vazhdon të dominojë me diferencë të thellë ndaj të tjerëve.

Por me të paktën dy procese gjyqësore, që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, çështjet penale ka të ngjarë të hedhin një hije të errët mbi garën presidenciale dhe titujt e lajmeve.

Megjithëse rezultati i akuzave mbetet i pasigurt, ekziston një konsensus midis ekspertëve ligjorë, që edhe nëse dënohet, zoti Trump mund ta vazhdojë fushatën elektorale për t’u zgjedhur president.

Kushtetuta amerikane përcakton tre kërkesa kryesore për kandidatët presidencialë: të jenë shtetas amerikanë të lindur në Shtetet e Bashkuara, të jenë të paktën 35 vjeç dhe të kenë banuar në Shtetet e Bashkuara për jo më pak se 14 vjet.

Megjithatë, Kushtetuta nuk shprehet për rastet e kandidatëve të akuzuar, apo të dënuar nga gjykatat.

Kjo do të thotë se zoti Trump mund të kandidojë për president si një kriminel i dënuar apo edhe pas hekurave, siç bëri Eugene V. Debs, kandidati presidencial i Partisë Socialiste, më shumë se një shekull më parë.

trump drejtësi padia

Lini një Përgjigje