
Presidenti i Sirisë, Ahmed Sharaa, ka mbërritur në Uashington për një vizitë zyrtare, vetëm dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara hoqën emrin e tij nga lista e personave të shpallur si “Terroristë Globalë të Posaçëm”.
Ish-militanti islamist pritet të takohet të hënën në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, njëmbëdhjetë muaj pas rrëzimit të Bashar al-Asadit nga aleanca rebele që ai udhëhoqi, raporton BBC.
Pak orë para mbërritjes së tij në kryeqytetin amerikan, autoritetet siriane njoftuan arrestimin e dhjetëra personave të dyshuar si anëtarë të grupit të vetëshpallur Shteti Islamik (ISIS).
Bashkëpunimi kundër mbetjeve të këtij grupi në territorin sirian pritet të jetë një nga temat kryesore të diskutimit mes Sharaas dhe Trumpit. Sipas burimeve zyrtare nga Damasku, 71 persona të dyshuar janë arrestuar, ndërsa janë sekuestruar armë dhe eksplozivë.
Që prej marrjes së pushtetit, Sharaa është përpjekur të rikthejë praninë e Sirisë në arenën ndërkombëtare, pas dekadash izolimi nën regjimin e Asadit dhe 13 vitesh lufte civile.
Në shtator, ai udhëtoi drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku deklaroi se Siria “po rikthen vendin e saj të merituar mes kombeve të botës” dhe bëri thirrje për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje