
Prokurori i Përgjithshëm i Rusisë tha të hënën se Moska do të etiketojë grupin kundër korrupsionit me bazë në Gjermani, “Transparency International” si një "organizatë të padëshirueshme".
“U konstatua se aktivitetet e kësaj organizate shkojnë qartë përtej synimeve dhe objektivave të deklaruara. Duke shpallur zyrtarisht veten një organizatë që lufton korrupsionin në mbarë globin, ajo ndërhyn në punët e brendshme të Federatës Ruse, e cila kërcënon rendin kushtetues dhe sigurinë e Federatës Ruse”, thuhej në deklaratë.
Etiketimi "i padëshirueshëm" është aplikuar për dhjetëra grupe të huaja në Rusi që kur filloi të përdorë klasifikimin në 2015 dhe shpesh shërben si njoftim për ndalimin e plotë të një organizate nga Ministria e Drejtësisë.
Ndërkohë, Transparency International, e cila vazhdimisht e ka renditur Rusinë si një nga 50 shtetet më të korruptuara në botë, nuk i është përgjigjur ende përcaktimit.
Rusia prej kohësh ka nisur një fushatë ndalimi dhe censurimi të kujtdo individi, organizate apo grupimi që nxjerr informacione kundër qeverisë, luftës në Ukrainë dhe ushtrisë. Gjithashtu fushata përfshin edhe censurimin e atyre burimeve që tregojnë gjendjen reale të ekonomisë ruse, korrupsionit në nivele të larta etj.
Lini një Përgjigje