Në një fjalim të rrallë televiziv nga Zyra Ovale në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Joe Biden bëri komentet e tij të para publike që pas deklarimit të tërheqjes së tij të dielën nga gara presidenciale.
Ai tha se e ardhmja e demokracisë amerikane qëndron në duart e popullit amerikan. Biden e quan vendimin e tij për t'u larguar nga gara një çështje të mbrojtjes së demokracisë.
“Unë besoj se rekordi im si president, lidershipi im në botë, vizioni im për të ardhmen e Amerikës meritojnë të gjitha një mandat të dytë, por asgjë – asgjë – nuk mund të pengojë shpëtimin e demokracisë sonë. Kjo është mbi ambicien time personale.
Kështu që kam vendosur se mënyra më e mirë përpara është t'ia kaloj pishtarin një brezi të ri. Është mënyra më e mirë për të bashkuar kombin tonë. E dini, ka një kohë dhe një vend për përvojë të gjatë në jetën publike. Ka gjithashtu një kohë dhe një vend për zëra të rinj, zëra të freskët - po, zëra më të rinj. Dhe kjo kohë dhe vend është tani.”, tha Biden në Zyrën Ovale.
Ndërsa nuk e përmendi Donald Trumpin me emër, ai u përpoq të vinte një kontrast të qartë me ish-presidentin, ambicia e të cilit e bëri atë të pretendonte fitoren në një zgjedhje që nuk i fitoi katër vjet më parë.
Pasi Biden mbajti fjalimin e tij në Zyrën Ovale, Trump tha në mediat sociale se “mezi kuptohej dhe ishte shumë keq”.
Demokrati Biden është presidenti i parë në detyrë që nuk kërkon një mandat të dytë që nga viti 1968 kur Presidenti Lyndon Johnson, nën kritika të ashpra për trajtimin e Luftës në Vietnam, u tërhoq papritur nga fushata më 31 mars.
Zoti Biden i bashkohet listës së presidentëve James K. Polk, James Buchanan, Rutherford B. Hayes, Calvin Coolidge dhe Harry Truman që vendosën të mos kandidojnë për një mandat të dytë.
Presidenti Biden u përball me thirrjet për t’u larguar nga gara pasi paraqitja e tij e dobët në debatin kundër zotit Trump ngriti pikëpyetje shqetësuese në lidhje me mprehtësinë e tij mendore.
Megjithatë, që kur ai mori vendimin për t’u tërhequr nga gara për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, demokratët kanë shprehur mbështetjen për të, duke vlerësuar karakterin dhe punën e tij si president.
Zoti Biden tha se do të përqendrohet tek detyra e tij si president gjatë gjashtë muajve të mbetura në detyrë. Ai do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të enjten lidhur me përpjekjet për të negociuar një armëpushim në Gazë.
Kjo është hera e katërt që Presidenti Biden i drejtohet vendit nga Zyra Ovale që nga marrja e detyrës në janar të vitit 2021. Më 15 korrik Presidenti Biden iu drejtua vendit pas tentativës për vrasjen e ish Presidentit Trump duke u bërë thirrje amerikanëve që të qetësonin retorikën politike.
Zoti Biden e filloi karrierën politike në vitin 1972, kur u zgjodh në Senatin amerikan në moshën 29-vjeçare, duke u bërë senatori i gjashtë më i ri. Ai do të përfundojë mandatin në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar 2025, si presidenti më i vjetër amerikan kur do të ketë mbushur 82 vjeç.
Lini një Përgjigje