
Bota po vëzhgon me kujdes se si Kanadaja do të kundërpërgjigjet ndaj Trump. Nëse ajo shpreson që të gëzojë respektin e shteteve të tjera, duhet të tregojë një gatishmëri për të luftuar për veten, prosperitetin dhe vlerat e saj.
Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump, e ka përsëritur dëshirën e tij të dukshme për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të Shteteve të Bashkuara. Trump është kritikuar ashpër për deklarata tilla ndaj një vendi të respektuar fqinj. Por fiksimi i tij është i rrezikshëm në një kohë kur qeveria liberale e vendit, e dobësuar prej kohësh, është në kaos.
Në fakt, në letrën e saj të dorëheqjes në dhjetor, Ministrja e Financave Chrystia Freeland e vendosi kundërpërgjigjen e vendit ndaj Trump në qendër të kritikës së saj ndaj kryeministrit Justin Trudeau. Midis shumë argumenteve në letrën e dorëheqjes, ishte fakti që Kanadaja është e papërgatitur përballë kërcënimit të ri të mandatit të dytë të Trump.
Trump nuk ngurroi të përzihej në punët e brendshme të Kanadasë, duke e quajtur Freeland një politikane “toksike”, dhe e etiketuar Trudeau si guvernator të një shteti amerikan dhe jo si një udhëheqës i një kombi sovran. Sulmet ndaj Kanadasë po bëhen të zakonshme.
Në një postim tjetër, Trump deklaroi se si shteti i 51-të kanadezët do të “kursenin shumë në taksa dhe për mbrojtjen ushtarake”. Cilido që do të bëhet kryeministër në javët apo muajt në vijim, duhet të dijë se si të përballet me Trump - dhe kërcënimin ekzistencial që paraqet ai për Kanadanë - në një mënyrë shumë më efektive sesa liberalët nën drejtimin e Justin Trudeau.
Trump po shpërfill në mënyrë flagrante pavarësinë e Kanadasë dhe bashkë me të identitetin kanadez. Ndaj Kanadaja duhet të kundërpërgjigjet në përputhje me rrethanat. Mund të jetë e vështirë të kuptohet plotësisht natyra dhe shtrirja e kërcënimeve që vijnë nga dikush që është i gatshëm të shpërfillë konventat e respektuara politike dhe diplomatike.
Kërcënimet e tij për aneksimin e vendit tonë, krijojnë një grup të vazhdueshëm sfidash të shumanshme për zhvillimin ekonomik, normat demokratike dhe sovranitetin e Kanadasë. Dimensioni ekonomik i kërcënimit të tij ndaj Kanadasë është i njohur tashmë.
Tarifat e propozuara të Trump prej 25 për qind për të gjitha eksportet kanadeze në SHBA, do të ishin tepër të kushtueshme për të dyja vendet, duke pasur parasysh integrimin e ekonomive midis tyre. Por bazuar në pabarazinë e madhësisë midis dy vendeve, ndikimi negativ do të jetë më i madh për Kanadanë.
I qartë është kërcënimi ndaj demokracisë. Trump ka treguar se e konsideron demokracinë jo si një grup të rëndësishëm rregullash dhe normash, por si një grup pengesash për t'u kapërcyer. Ai nuk është në gjendje të pranojë humbjen apo edhe të pranojë me përulje fitoren.
Hakmarrja e tij sapo ka filluar, me padi kundër mediave, dhe madje edhe kundër një kompanie sondazhesh, të dhënat e të cilës sugjeronin se demokratja Kamala Harris ishte përpara tij gjatë ditëve të fundit të fushatës zgjedhore në SHBA.
Pasi të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, Trump ka premtuar të përdorë institucionet publike për të ndëshkuar kundërshtarët e tij. Mungesa e respektit të Trump ndaj institucioneve demokratike është gërryese dhe ngjitëse.
Gjatë mandatit të tij të parë, ekspertët paralajmëruan të alarmuar, se si ai ishte i lidhur me rënien e demokracisë në mbarë botën. Tek e fundit, nëse presidenti amerikan mund të sfidojë haptazi normat demokratike, atëherë çfarë do t’i ndalonte demagogët e tjerë të bëjnë të njëjtën gjë?
Një administratë e dytë Trump, ka të ngjarë të vazhdojë tendenca të tilla, dhe gatishmëria e tij për të ndërhyrë në politikën kanadeze, ka shkaktuar që tani jo pak shqetësim. Veprimet e Trump, tregojnë në mënyrë të përsëritur se ai nuk ka respekt për ata që i sheh si të pafuqishëm.
Dhe tani radhën duket se e ka Kanadaja. Trump është shprehur si me shaka se Kanadaja nuk është një vend i vërtetë, por thjesht një shtet tjetër amerikan. Të qeshësh përballë kërcënimi nuk e zbeh seriozitetin e situatës. Deri tani, Kanadaja ka vepruar në një mënyrë që e bën të duket sikur Trump ka një farë të drejte.
Në vend se të distancohej nga deklarata të tilla, duke mbrojtur rekordin e fortë të Kanadasë në menaxhimin e pjesës së saj të marrëdhënieve kufitare, qeveria premtoi menjëherë mbi 1 miliard dollarë shpenzime të reja për kontrollin e kufirit. Liderët kanadezë kanë dështuar që t’i cilësojnë kërcënimet e Trumpit si deklarata poshtëruese të një bullizuesi të njohur tashmë.
Përballë kërcënimeve tarifore të Trump, Trudeau bëri një udhëtim të befasishëm në Florida për të nderuar presidentin e zgjedhur dhe për të mbrojtur çështjen e Kanadasë, në vend se të respektonte protokollin normal dhe të priste të bënte një vizitë zyrtare shtetërore pas inaugurimit.
Kjo e bëri Trudeau të dukej më shumë si një lutës, se sa si një kryetar qeverie që viziton një vend të huaj. Mbrojtja e kufijve, është një funksion thelbësor i çdo shteti dhe një përgjegjësi e çdo presidenti amerikan. Kërkesa e Trump që të tjerët ta bëjnë atë për të, është njëkohësisht një shenjë dobësie dhe një përpjekje për të pasur “një kokë turku” nëse dështojnë përpjekjet e tij.
Ashtu si me çdo ngacmues, nëse premtoni se do ta kryeni punët e tij, vetëm do të nxisni kërkesa shtesë. Pra kur Trudeau premtoi të bënte më shumë në këmbim të dhënies fund të bullizmit, ai mori një goditje poshtë brezit, ndërsa Trump filloi ta tallte atë se ishte guvernatori i shtetit të 51-të amerikan.
Bota po vëzhgon me kujdes se si Kanadaja do të kundërpërgjigjet ndaj Trump. Nëse ajo shpreson që të gëzojë respektin e shteteve të tjera, duhet të tregojë një gatishmëri për të luftuar për veten, prosperitetin dhe vlerat e saj.
Kanadaja duhet të mbrojë sovranitetin e saj nga ata që refuzojnë ta respektojnë atë, dhe të veprojë me vendosmëri për të ruajtur zhvillimin e saj. Kjo mund të nënkuptojë një luftë tregtare. Për më shumë se një shekull, Kanadaja dhe SHBA-ja kanë gjetur mënyra për të bashkëpunuar dhe përparuar krah për krah.
Kjo pavarësisht se SHBA-ja është një komb shumë më i fuqishëm. Ata kanë ndërtuar aleanca dhe marrëveshje të bazuara mbi norma, vlera dhe zakone të përbashkëta si pjesë e një marrëdhënieje të thellë dhe shumëplanëshe. Asnjë nga ajo histori nuk duket se ka rëndësi për Trump.
Dhe me sa duket, tani fuqia amerikane ka më shumë rëndësi se sa sovraniteti kanadez.
Ky çekuilibër i fuqisë është i fortë, duke pasur parasysh varësinë e Kanadasë nga ekonomia dhe fuqia ushtarake amerikane. Por Kanadaja nuk është e pafuqishme. Varësia funksionon në të dyja anët, dhe integrimi i thellë i ekonomive të dy vendeve e bën të prekshme edhe SHBA-në. Ndërprerja e eksporteve të energjisë drejt SHBA-së, siç sugjeroi së fundmi kryeministri i Ontarios, Doug Ford, është një nga rrugët e veprimit, që do kishte një efekt të menjëhershëm dhe jo pak dëmtues në ekonominë amerikane.
Po kështu edhe për naftën. Energjia është një fuqi në shumë aspekte. SHBA-ja konsumon çdo ditë disa miliona fuçi naftë kanadeze, dhe një taksë mbi atë karburant do të prodhonte inflacion, ndaj do të ishte jopopullore për votuesit amerikanë.
Ndërkohë edhe vende të tjera do të humbasin shumë, nëse SHBA nuk do të vazhdojë të respektojë sovranitetin e Kanadasë. Nëse Trump refuzon të respektojë sovranitetin kanadez, asnjë vend nuk është i sigurt. Këtë mund ta dëshmojnë tani edhe Panamaja dhe Danimarka.
Gjetja e mënyrave për t’iu kundërvënë kërkesave të tilla, duhet të jetë një mision jetik për çdo vend që vlerëson pavarësinë e tij, dhe Kanadaja duhet të punojë me aleatë të tillë. Trump do të jetë sërish pas pak ditësh president i SHBA-së.
Por ai nuk trajtohet dhe nuk duhet të trajtohet si president i Kanadasë. Kushdo që do të drejtojë Kanadanë në muajt në vijim, ka në dispozicion mjete për ta mbrojtur sovranitetin kanadez, dhe duhet të jetë i përgatitur që t’i përdorë ato.
Shënim: Stewart Perst, lektor i shkencave politike në Universitetin British Columbia, Kanada./ Përshtati "Pamfleti" nga “Vancuver Sun”
Lini një Përgjigje