
Policia e Kukësit ka njoftuar planin e masave të ndërmarra për garantimin e mbarëvajtjes së procesit për zgjedhjet e pjessshme që do të mbahen nesër në Kukës.
Në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar 99 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në 74 qendrat e votimit dhe në vendnumërimin e votave prane KZAZ-së nr. 11 Kukës
“Masat e marra nga DVP Kukës, për zgjedhjet e pjesshme të datës 24 shtator 2023, për kryetarin e bashkisë Kukës:
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës dhe Komisariati i Policisë Kukës, ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë ditës së votimit, garantimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të subjekteve që marrin pjesë në këtë proces, si dhe për ruajtjen e objekteve dhe të materialeve që do t’i shërbejnë këtij procesi.
I gjithë personeli policor i angazhuar me detyra gjatë procesit zgjedhor është i trajnuar për detyrat që ka dhe kryen Policia e Shtetit gjatë procesit zgjedhor.
Është miratuar nga KQZ-ja, lista e punonjësve të Policisë që do të angazhohen në procesin zgjedhor.
Në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar 99 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në 74 qendrat e votimit dhe në vendnumërimin e votave prane KZAZ-së nr. 11 Kukës.
Gjithashtu, për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, në vazhdimësinë e shërbimeve që kryen Policia e Shtetit çdo ditë, janë anagazhuar dhe 78 punonjës të tjerë policie.
Është bërë instruktazhi i të gjitha forcave të Policisë, që janë të ngarkuar me detyra në kuadër të këtij procesi zgjedhor, në qytetin e Kukësit.
Punonjësve të Policisë iu është kërkuar të tregojnë profesionalizëm e korrektësi në detyrat e përckatuara në planin e masave përsa i përket marrjes në ruajtje të objekteve zgjedhore dhe të udhëzimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe të Komisariatit të Policisë Kukës janë tejet të vendosura dhe të angazhuara për të mbajtur në kontroll të plotë të gjithë territorin, me qëllimin e vetëm, sundimin e ligjit. Në këtë kuadër apelojmë për të gjithë qytetarët dhe subjektet e përfshira në këtë proces, që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera. Gjithashtu, Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e drejtuesit të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt”, njofton policia.
Ditën e nesërme 46 mijë qytetarë të Bashkisë Kukës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë.
Në garë për të marrë postin e të parit të qytetit janë dy kandidatët, Emri Vata i regjistruar nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe Albert Halilaj nga Partia Socialiste, ndërsa Partia Demokratike zyrtare, ndonëse u regjistrua si subjekt garues, nuk paraqiti kandidat.
“Janë 74 qendra votimi në të cilat do të zhvillohet procesi i votimit në këtë bashki. Nga këto një është në qendër votimi në institucionin e paraburgimit që ndodhet në këtë bashki,” deklaroi komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Zgjedhjet e pjesshme të 24 shatorit do të kushtojnë rreth 25 milionë Lekë, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka kërkuar fond shtesë nga Qeveria.
“Nuk ishte e nevojshme për buxhet shtesë, pasi nga zgjedhjet e 14 Majit rezultoi se ka kursime që mundësojnë këtë proces zgjedhor”, shtoi ai.
Pjesëmarrësve në votim do t’u dorëzohet vetëm një fletë votimi, ajo për kryetarin e bashkisë, pasi për këshillin bashkiak gjithçka mbetet sipas rezultatit të 14 majit.
Lini një Përgjigje