
Institucionet shqiptare vijojnë të abuzojnë masivisht me tenderët. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se në 205 auditime të kryera gjatë vitit 2022, janë gjetur 811 milion euro dëme në buxhet. Po ashtu KLSH ka paditur penalisht 16 zyrtarë.
Rritje të ndjeshme kanë dëmet e shkaktuara nga keqmenaxhimi, mosplanifikimi i mirë apo moseficenca e fondeve shtetërore, që njihen si të ardhura të munguara në buxhet, KLSH i ka llogaritur në vlerën e plot 798 milionë eurove.
KLSH ka sqaruar se dëmi ekonomik i referohet detyrimit të shpërblimit monetar të një individi ose subjekti që i shkaktohet entit shtetëror të audituar në lidhje me veprime ose mosveprime në cenim të disiplinës financiare dhe kuadrit rregullator përkatës.
Kurse efekti negativ në performancën e subjekteve nën auditim u referohet efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike dhe menaxhimit me ekonomicitet, eficiencë dhe efektivitet të fondeve publike.
Mosmenaxhim i fondeve publike KLSH evidenton se vjen nga dy burime kryesore si shit/blerja dhe dhënia me qira e pasurive shtetërore, ndërsa surprizë këtë vit vjen edhe mosmbledhja e taksave nga bashkitë. Edhe shpenzimet për investimet mbajnë një barrë të madhe tek mungesa e të ardhurave në buxhet. Edhe zëri të tjera apo shkelje në disiplinën buxhetore është një nga barrat më të mëdha.
Auditimet janë kryer në ministri dhe agjenci përfshirë: drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre; njësi të vetëqeverisjes vendore: qarqe dhe bashki; institucione që administrojnë fonde speciale: ISSH dhe FSDKSH, institucione të pavarura; shoqëri aksionare me kapital shtetëror në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve, apo projekte me financim të huaj.
Sipas KLSH në institucionet e audituara gjatë periudhës janar – dhjetor 2022, KLSH ka adresuar gjithsej 5,420 rekomandime, nga të cilat: 52 propozime për përmirësime ligjore; 3,283 masa organizative; 1,047 masa disiplinore dhe administrative, 352 masa për shpërblim dëmi dhe 686 masa për efekte negative në buxhet.
Lini një Përgjigje