
Llalla u arratis drejt Italisë pas dënimit, ku dhe ka kërkuar azil politik.
Rishfaqet ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla. Ndonëse SPAK dhe policia e kërkojnë pasi është dënuar me 2 vite burg për fshehje pasurie, ai ka marrë pjesë sot në tubimin e ish-kryeministrit Sali Berisha në Itali.
Kryetari i Partisë Demokratike, mbajti sot një takim politik me Diasporën shqiptare në Romë. Ky udhëtim erdhi në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit dhe ligjit për përfshirjen e emigrantëve në votime, teksa partitë kanë nisur edhe turet politike në arenën ndërkombëtare, kudo ku ka Diasporë.
Ndonëse kur ishte kryeprokuror Llalla shfaqej si i paanshëm, duket se sot e kanë tradhtuar kamerat. Llalla është shfaqur si militant i PD. Duhet theksuar se Llalla u arratis drejt Italisë pas dënimit, ku dhe ka kërkuar azil politik.
Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar.
Hetimet ndaj tij nisën në vitin 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.
Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm.
Në një njoftim për shtyp të atëhershëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.
Akuzat ndaj Llallës u rrudhën dhe SPAK njoftoi të më 9 mars 2021 përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tri herë.
Më 20 maj 2021, Llalla u dënua në shkallë të parë me 2 vjet burg. Ai do të përfitojë nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar uljen e 1/3 së dënimit, duke mbetur si dënim përfundimtar 1 vit e 4 muaj burgim.
Lini një Përgjigje