TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Gusht 2025, 19:40

Shqipëria digjet, Rama me Berishën krihen!  

Shkruar nga Pamfleti

Shqipëria digjet, Rama me Berishën krihen!  

E teksa vendi digjet dhe Forcat Zjarrëfikse punojnë me mjete primitive për shuarjen e flakëve, udhëheqësit tanë, nga ajri i kondicionuar në zyrë, makinë apo diku gjetkë, nuk iu ndahen postimeve në rrjetet sociale...

Nga Veriu në Jug, Shqipëria prej ditësh ndodhet nën kërcënimin e zjarreve që kanë shkrumbuar qindra hektarë, kanë djegur dhjetëra banesa dhe kanë rrezikuar jetën e qytetarëve përreth. Ndihmuar edhe nga temperaturat e larta të këtyre ditëve të fundit, që kalojnë mbi 40 gradë celsius, vatrat e zjarreve në vend kanë marrë përmasa të frikshme, sidomos në vendet ku janë favorizuara edhe nga era. 

Ndërhyrja në disa vende ka munguar për disa orë, disa vatra të tjera Forcat Zjarrëfikëse nuk i kanë arritur dot për shkak të terrenit dhe është dashur ndërhyrja nga ajri. 

E teksa vendi digjet dhe Forcat Zjarrëfikse punojnë me mjete primitive për shuarjen e flakëve, udhëheqësit tanë nga ajri i kondicionuar në zyrë, makinë apo diku gjetkë, nuk iu ndahen postimeve në rrjetet sociale, duke nisur nga tritoli, te turizmi e deri te prishja e lokaleve dhe lavazheve, por asnjë fjalë për situatën e zjarreve. Mesa duket për kreun e Qeverisë dhe atë të Opozitës, situata alarmante e zjarreve nuk është dhe aq e rëndësishme.  

Vatrat që mbeten ende aktive: 

-Në zonën e Syrit të Kaltër në Sarandë, zjarret kanë detyruar evakuimin e vizitorëve dhe mbylljen e qarkullimit në aksin Muzinë-Sarandë, pasi flakët gjigande kanë zbritur deri në rrugë.

-Në zonën e mbrojtur “Rëzom” mbi tunelin e Skërficës, që lidh Sarandën me Gjirokastrën, një vatër zjarri po vështirëson ndërhyrjen për shkak të terrenit të thyer.Në Finiq, zjarret po kalojnë nga një fshat në tjetrin.

-Në Leshnicë e Poshtme janë djegur disa banesa, ndërsa flakët kanë përfshirë fshatin Krane të njësisë administrative Mesopotam.

-Në fshatin Krongj të Finiqit, një vatër zjarri është riaktivizuar, duke detyruar evakuimin e banorëve.

-Në Bolenë të Himarës, forcat operacionale, të mbështetura nga 20 efektivë të Forcave të Armatosura, po punojnë për të shuar flakët.

-Në Lukovë të Himarës, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, ku po operojnë efektivët e MZSH Himarë dhe Sarandë me 3 automjete zjarrfikëse dhe 11 efektivë, të mbështetur nga një avion kroat Canadair dhe një mjet zjarrfikës me 3 efektivë nga MZSH

-Në Konispol, një vatër zjarri mes fshatrave Janjar dhe Ninat kërcënon një stan me 350 bagëti të imta dhe dy sipërfaqe të mbjella me ullishte dhe arra.Zjarre agresive në zona të tjera

-Në Poliçan, zjarri ka marrë përmasa të mëdha në mal dhe është cilësuar si zjarri më i madh i regjistruar ndonjëherë në këtë zonë. Jashtë territorit të Uzinës Mekanike, flakët kanë kaluar mbi ujësjellësin, duke rrezikuar banesa dhe Azilin e të Moshuarve në qytet. Banorët janë evakuuar, ndërsa në terren po operojnë forcat zjarrfikëse.

-Në Gramsh, një vatër zjarri agresive mbi fshatin Sojnik është përhapur deri në Snosëm, duke rrezikuar banesat.

-Në Mukaj të Gramshit, era ka përkeqësuar situatën, por forcat operacionale, të mbështetura nga 8 efektivë dhe 12 forca të bashkisë, po punojnë për shuarjen e flakëve.

-Në uzinën e Cërrikut, zjarri është izoluar dhe po punohet për fikjen e plotë.

-Në Fushë-Arrëz, fshati Xath është përfshirë nga një zjarr i madh që rrezikon shumë shtëpi.

-Në Malaj i Epërm, lagja “Vjollcë” në Rrëshen të Mirditës, zjarri në pyll me pisha, lis dhe shkurre është izoluar dhe mbahet nën kontroll, por forcat operacionale vazhdojnë monitorimin.

-Në Malin e Allushit pranë fshatit Plani Bardhë të Klosit, vatra e zjarrit është nën kontroll dhe po monitorohet nga 6 efektivë.

-Në Tiranë, te Mali i Bërzhitës në fshatin Ibë, zjarri ka përfshirë 5 hektarë me shkurre dhe ferra, dhe forcat operacionale po punojnë për shuarjen e tij.

-Në Rrogozhinë, zjarret në fshatrat Ballaj dhe Zhabjak rrezikuan banesat, por pas ndërhyrjes së forcave operacionale, të mbështetura nga një helikopter i FA dhe 50 efektivë, zjarri është vënë nën kontroll, duke shpëtuar mbi 50 banesa.

-Në Peqinaj, Synej të Kavajës, 10 hektarë janë djegur, dhe ndërhyrja po vijon me mbështetjen e një avioni kroat Canadair.

-Në malin e Krujës, sipër fabrikës së çimentos, zjarri në pyll pishe është izoluar dhe intensiteti i tij është ulur, por mbahet nën monitorim.

-Në Turan të Tepelenës, vatra e zjarrit është izoluar, por monitorohet nga afër.

Lini një Përgjigje