Gazetari Mariglen Kume tha se nëse fenomeni i vjedhjes së votave do të vërtetohet edhe brenda PD-së, kësaj force politike i bie kauza për vjedhjen e votave nga PS.
Kume vuri në dukje se ndërsa PS është më e qartë në orientimin për kandidatët lidhur me rinumërimin, PD duket më pa busull. Kume thotë se Berisha do që kandidatët e listës së hapur të zihen me njëri-tjetrin, pasi ai i ka deputetët besnikë në Kuvend.
“PS është më e qartë në këtë orientim, me një mesazh të kryeministrit. Kandidatët e PS i tërhoqën kërkesat e tyre, vetëm Gjylameti që ka marrë pamjet filmike. PD duket më pa busull, e paorientuar në aksionin politik.
E para, sa legjitimitet mund të marrë kauza e saj për vjedhjen e votave, ndërkohë që këtë fenomen e ka brenda partisë. Këtu u bie aksioni i madh atyre. Opozita e di që problemi s’është në kuti, por ka filluar shumë më përpara.
Edhe sistemi në 2021-shin ka qenë pak ndryshe. Po të ishte edhe Igli Cara, Oerd Bylykbashi, kandidatë të tjerë të listës së mbyllur, numri i votave të Aulon Kalasë mbase mund të ishte më pak.
Mund të jetë edhe orientim partie. Z.Berisha ata që i donte i vendosi në listën e sigurt, dhe la këta në listën e hapur të bënin vota për ta.
Do që këta të listës së hapur të zihen me njëri-tjetrin, t’ua prishë imazhin edhe më shumë, duke i treguar njëri-tjetrit që ti më ke vjedhur vota këtu, ti më ke vjedhur atje, dhe ai vazhdon qëllimin e tij”, tha ai në MCN.
Lini një Përgjigje