
Një ngjarje e ndodhur në verën e vitit 2023 në Sarandë në një biznes që operon prej më shumë 25 vjetësh në fushën e hotelerisë, duket se po vendos në qendër të skandalit një prej prokuroreve.
Bëhet fjalë për prokuroren Esmeralda Basho e cila ka zvarritur për dy vjet hetimet duke mbajtur dukshëm anën e policisë, në hetimet e nisura.
“Ka qenë një event në këtë ambient, ku ju jeni duke më intervistuar. Kanë qenë prezentë një sërë personalitetesh dhe aktorësh të shquar të cilët ishin pjesë e këtij aktiviteti. Rreth orën 17:45 ka zbarkuar ka zbarkuar një ‘bandë’. Kanë zbarkuar disa persona pa uniformë, pa shenja dalluese të Policisë së Shtetit. E kanë pranuar edhe vetë ata që kanë qenë pa uniformë dhe pa shenja dalluese dhe kanë mbyllur aktivitetin. Me paturpësi shefi i komisariatit thotë se ka shkuar për të mbyllur aktivitetin”, tha avokati Arben Llangozi.
Në këtë biznes po zhvillohej një aktivitet për Butrintin dhe ishin të ftuar personalitete të televizionit, artit dhe politikës.
Rreth orës 23:00 të mbrëmjes në biznes zbarkojnë forcat e Policisë Sarandë, pa uniforma apo shenja identifikuese të Policisë së Shtetit.
“Ka qenë një aktivitet në lidhje me Butrintin. Ka qenë të ftuar shumë personalitete si nga Shqipëria, si nga diaspora dhe si nga Maqedonia, Kosova, si të politikës, të artit dhe të kulturës. Mund të përmendim aktorë të mëdhenj si Timo Flloko, apo regjisorë të mëdhenj që ka Shqipëria si Vera Grabocka dhe shumë të tjerë. Po atë ditë vjen një person, u habita sepse vjen direkt dhe shkon tek muzika për ta bllokuar muzikën. Mendova se ishin ‘bodyguard’, por kur e pashë me radio mbrapa dhe u ngit lart, fiku muzikën me forcë mund të them madje, sepse edhe Dj u habit. Ne kemi qenë edhe brenda rregullave me leje të posaçme me leje aktiviteti pas orës 00:00, ku në fakt ora ishte 22:00”, tha për mikrofonin e emisionit “Stop” qytetari.
Ata mbyllin muzikën dhe shoqërojnë pronarin e lokalit dhe disa persona të tjerë edhe pse nuk kishte asnjë ankesë, apo denoncim për zhurma.
“Nuk ka pasur fare asnjë denoncim, nuk ka pasur fare asnjë ndotje akustike sepse nuk ka asnjë lloj procedimi edhe nga policia edhe nga prokuroria për një lloj ndotje. Nuk ka një konstatim, nga bashkia apo mjedisi. Aq më tepër që ky subjekt është i licencuar dhe ka një akustikë të mirë organizuar dhe nuk ka zhurma në ambientet e jashtme. Por, policia pa asnjë ankesa ka zbarkuar, ka shoqëruar pronarin e këtij subjekti dhe e ka dhunuar në furgon”, shton më tej avokati.
“Vetëm kur shikoj furgonin e policisë që merr pronarin, nuk pashë asnjë lloj gjëje që të komunikohej dhe që të flitej. Erdhën direkt dhe e morën në furgon, kjo më habiti sepse erdhi grup i gatshëm. Të ftuarit ishin të gjithë të habitur se çfarë ndodhi. Sepse ishin të gjithë personalitete të muzikës, artit, por edhe nga bashkia. Festa u prish vërtet”, shton më tej gjithashtu qytetari.
Avokati Arben Llangozi shpjegon, se pronarët e lokalitbënë kallëzim ndaj policisë për këtë aksion arbitrar. Meqë u përball me kallëzimin, policia u kundërpërgjigj duke bërë dhe ajo një kallëzim për kundërshtim të forcave të policisë për pronarin dhe vëllain e tij. Por ky i fundit nuk ishte fare prezent atë natë.
“Procedimi që ata kanë nisur e kanë nisur si kundërshtimi i forcave të policisë të rendit. Ndërkohë që forca rendi nuk kishte, ishin disa banditë. Madje disa efektivë të policisë kanë qenë edhe me pantallona të shkurtra. Policia e Shtetit ka kryer vetë veprime hetimore. Pra vetë viktimë edhe vetë oficer. Nuk ka njoftuar policinë, nuk kanë kryer veprime, sepse në raste të tilla veprimet i kryer oficeri i prokurorisë, sepse policia është viktimë”, sqaron avokati.
Zonja Basho e bazon akuzën në pamjet filmike dhe tek një celular, që ka filmuar policët atë mbrëmje.
Por, këto dy prova që tregojnë situatën ndryshe, janë zhdukur.
“Unë mendoj se këtë telefon e ka zhdukur prokurorja për arsye sepse janë djemtë e xhaxhait të kësaj prokuroreje. Ka një ndikim të qartë, të pastër, plus ajo që unë kam marrë vesh është që prokuroja ka dhe lidhje të tjera në polici të cilat e kanë ndikuar në procedurën hetimore dhe unë mendoj se prokurorja Esmeralda Basho është përgjegjësja kryesore dhe për administrimin e dosjes dhe unë vlerësoj që këtë telefon e ka vjedhur prokuroja. Sepse kemi të bëjmë me një vepër penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, tha avokati Arben Llangozi.
Ish-prokurori Eugen Beçi tregon procedurën, sesi merret një provë nga kamerat e biznesit.
“Mbi të gjitha kur shkon në gjykatë, në gjykatë nuk shkon vetëm proces verbali. Në gjykatë shkon edhe prova konkrete materiale. Për të shpjeguar më qartë, në rast se ti si prokuror ke sekuestruar një telefon, proces verbali i sekuestrimit duhet që të shoqërohet patjetër me telefonin, sepse në sallën e gjyqit prova e vërtetë nuk është proces verbali, por është telefoni që përmban këto të dhëna në mënyrë që t’i i ke këqyrur dhe i pasqyron në proces verbalin përkatës. Ky është thelbi i procedurës penale, për të pasur një proces të rregullt ligjor”, tha Eugen Beçi.
Ndërsa mënyra e përdorur, sipas tij është amatoreske dhe nuk i shërben zbardhjes së ngjarjes.
“Kemi një hetim gati dy vjet zvarritje. Më pas në momentin e përfundimit të hetimeve, jemi njohur me aktet dhe aty konstatoj një sërë veprimesh hetimore, të cilat ishin të pavlefshme. I kam kërkuar prokurores konstatimin e veprimeve hetimore si të pavlefshme, madje prokurorja kishte arritur deri aty saqë kishte bërë “copy-paste” relacionin e prokurorisë. Unë kam kryer edhe një akt ekspertimi, ku nga ekspertët rezulton se ky relacioni i oficeres së policisë ishte identik me atë të përfundimit të hetimeve. Ishin të njëjtat gabime drejtshkrimore”, shtoi avokati.
Një detaj tjetër mbi manipulimin e këtij rasti, është dhe relacioni i mbushur me gabime drejtshkrimore dhe lapsuse, që janë marrë të gatshme.
“Kemi konstatuar që në paragraf, në përmbajtje, në fjalë apo togfjalësh, në shenja pikësimi, kemi konstatuar që ka një përputhje të plotë mes këtyre veprimeve të kryera me persona të ndryshëm. Kemi të bëjmë me një kopim mekanik ‘copy-paste’. Një hetim jo korrekt që nuk është objektiv, por është subjektiv dhe thjesht është bërë një marrje e deklarimeve nga një person teknik në një tjetër, me metodën e kopjes”, tha ish-drejtuesi i Policisë Shkencore.
Ish-drejtuesi i Policisë Shkencore, që ka analizuar videon nuk evidenton asgjë madje as shenjat dalluese të policisë së shtetit.
“Nga an jonë janë përdorur të gjitha teknikat ekzamintaive më bashkëkohore, që disponojnë shërbimet homologe të Policisë Shkencore, njëkohësisht i disponon dhe qendra jonë shkencore, por nuk kemi nxjerrë në evidencë karakteristika të përgjithshme dhe të veçanta që identifikojnë personat e përfshirë në këtë ambient. Njëkohësisht nuk kemi mundur që të nxjerrim në evidencë shenja dalluese, që të identifikohen si persona që kryejnë funksione të punonjësve të Policisë së Shtetit, por ne kemi për aq sa kam rrezja e veprimit të kamerës numrin e personave që janë të pranishëm”, shtoi ish-drejtuesi i Policisë Shkencore.
“Prokuroja ka dorëzuar vetëm procesverbalin e këqyrjes së pamjeve filmike, që sipas procesverbalit konstatohet se ka një konflikt mes shefit të komisariatit dhe klientëve që unë përfaqësoj. Në proces verbal shkruhet kështu, kurse në video nuk duket asgjë. Prandaj është zhdukur kjo video. Prokuroja këtë e di shumë mirë prandaj dhe ka ndihmuar palët në proces, duke manipuluar një proces gjyqësor. Vetë gjykata e ka pranuar që këto pamje filmike nuk janë. Edhe telefoni i sekuestruar nga shefi i komisariatit nuk është pjesë e dosjes gjyqësore”, shtoi avokati.
“Stop u përball me prokuroren Esmeralda Basho, e cila rezulton edhe vajzë xhaxhai me dy punonjës policie. Por, përfaqësuesja e akuzës, zgjodhi të heshtë./tvklan.al
Lini një Përgjigje