TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Korrik 2025, 11:04

Nga dyshimet për korrupsion te kostot ekologjike, pikëpyetjet për projektin e dhëndrit të Trump në Sazan

Shkruar nga Pamfleti

Nga dyshimet për korrupsion te kostot ekologjike, pikëpyetjet për

Të tjerë thanë se "më shumë infrastrukturë" do të thoshte vetëm "më shumë korrupsion qeveritar"...

Projekti i Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit amerikan, Donald Trump, vijon të tërheqë vëmendjen e mediave ndërkombëtare, ndërsa ngrihen shumë pikëpyetje lidhur me investimin prej 1.4 miliardë dollarë në ishullin e Sazanit. Ky i fundit, bazuar në një marrëveshje kontroverse mes Qeverisë shqiptare të Kryeministrit Edi Rama dhe dhëndrit të Donald Trump, parashikohet të shndërrohet në një "vendpushim luksoz".

The Week ka bërë një përmbledhje të asaj që mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar lidhur me këtë marrëveshje, ku ngrihen pikëpyetje të shumta nga kostot ekologjike, te rreziku i mbi-turizmit deri te dyshimet për korrupsionin.

Sazani, një ishull i pabanuar pranë qytetit jugor të Vlorës, ishte një "post ushtarak i izoluar" i Italisë fashiste dhe më vonë i Shqipërisë së epokës komuniste.

Firma e investimeve e Jared Kushner, Affinity Partners, ka "plane të mëdha për Shqipërinë e vogël", shkruan Air Mail, duke shtuar se megjithëse "jo të gjitha planet janë të çmendura", ato tashmë kanë shkaktuar shumë kundërshtime.

Shqipëria, e quajtur si "Koreja e Veriut e Evropës", gjatë viteve të komunizmit, ka mbetur një nga vendet e fundit të pazhvilluara në Evropën Perëndimore.

Projekti i Affinity përfshin një vendpushim luksoz prej 1,100 akrash, me 6,000 dhoma hoteli dhe vila. Planet arkitekturore për projektin tregojnë "struktura moderniste shumëkatëshe" të ndërtuara përgjatë bregut, dunave dhe kepeve rreth lagunës së Nartës, një vend aktualisht "i vlerësuar nga ekologjistët për diversitetin e tij të pasur të shpendëve", shkruan The New York Times .

Në Sazan, i cili shtrihet rreth 6 milje larg bregut nga skaji i lagunës, brenda një parku kombëtar detar, firma dëshiron të ndërtojë një kompleks turistik "luksoz" prej 1,400 akrash.

Peizazhi i ishullit është "Jurasik", shkruan The Guardian. Në vijim duke shkruar për bimësinë që kultivohet në ishull, media britanike flet për "fier, livando gjigante, plumbago, rozmarinë, dafina", që rriten në pjesën qendrore,  ndërsa perëndimin e diellit e përshkruan si "marramendëse".

Dyshime për korrupsion

Negociatat për shitjen e Sazanit u “mbajtën sekret” nga publiku dhe parlamentarët, të cilët nuk ishin në dijeni të marrëveshjes prej 1.4 miliardë dollarësh derisa ajo u raportua në media.

Këto raportime "kanë ngjallur pakënaqësi midis disa pronarëve vendas të tokave, të cilët vënë në dyshim nëse qeveria shqiptare po i bën thirrje zotit Kushner për të fituar favore politike nga vjehrri i tij", shkruan The New York Times.

Kryeministri, Edi Rama, e ka mohuar me forcë këtë dyshim.

Me Sazanin "në prag" për t'u bërë një "Mekë për turizmin ultra-luksoz", ka shumë pyetje nga ambientalistët, shkruan The Guardian.

Zona është "e çmuar për biodiversitetin e saj", shkruan NYT. Një ornitolog vendas tha se do të ketë një kosto "të jashtëzakonshme" ekologjike dhe ekonomike për zhvillimin.

Kushner, i cili është i martuar me vajzën e presidentit amerikan, Ivanka Trump , dhe ekipi i tij i kanë hedhur poshtë shqetësimet. Asher Abehsera, ekzekutivi që mbikëqyr zhvillimet, tha se firma njeh "biodiversitetin e pasur dhe peizazhin natyror" të zonës dhe ka një "master plan " të hartuar për të "rivendosur dhe përmirësuar kushtet ekologjike".

Por edhe kështu, vendasit kanë "shprehur frikën e mbiturizmit " dhe mungesës së ujit, ose se do të humbisnin tokën e tyre ose aksesin publik në lagunë dhe plazhe.

Të tjerë thanë se "më shumë infrastrukturë" do të thoshte vetëm "më shumë korrupsion qeveritar".

Shqiptarët “nuk janë kundër turizmit”, tha njëri prej tyre.  Ata janë thjesht “kundër turizmit që do të shkatërrojë tokën dhe traditat tona”. /Përshtati Pamfleti nga The Week/

Lini një Përgjigje