TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Prill 2024, 17:18

Qendra e Inovacionit për Sigurinë, Moska kërcënon Tiranën: Do shërbejë për sulme hibride ndaj nesh, boll me provokime!

Shkruar nga Pamfleti
Qendra e Inovacionit për Sigurinë, Moska kërcënon
Maria Zakharova

Maria Zakharova akuzoi NATO-n dhe Bashkimin Europian se po zgjerojnë qendrat e tyre kibernetike të orientuara për sulme kundër Rusisë....

Rusia ka shtuar sulmet ndaj NATO, teksa duket se në shënjestër është vënë edhe Shqipëria.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova ka thënë se NATO i është rikthyer mentalitetit të Luftës së Ftohtë, ndërsa aleanca feston 75 vjetorin e saj këtë javë.

Sot, në marrëdhëniet me Rusinë, koalicioni është rikthyer në një mjedis të Luftës së Ftohtë”, u tha gazetarëve.

Ajo tha se NATO nuk ka vend në një “botë shumëpolare”, që Moska thotë se po kërkon ta ndërtojë për t’i dhënë fund dominimit të SHBA-së, por megjithatë mbetet në qendër të vëmendjes së Rusisë.

Por, ajo shkoi më tej, ku akuzoi NATO-n dhe Bashkimin Europian se po zgjerojnë qendrat e tyre kibernetike të orientuara për sulme kundër Rusisë.

Sipas saj, një e tillë po hapet edhe në Shqipëri, teksa pretendon se misioni i qendrës do të jetë të ndihmojë në krijimin e një imazhi negativ për Rusinë. Sipas saj, në këtë mënyrë, po krijohet një tjetër burim kërcënimesh hibride në Ballkan, duke thënë se ky është një rajon me probleme të mëdha politike.

Fokusi i qendrave të tilla kibernetike do të jetë në Rusi, e cila për Shtetet e Bashkuara është një nga kërcënimet kryesore për stabilitetin amerikan në sferën digjitale”, tha Maria Zakharova.

Zyrtarja e ministrisë së Jashtme pretendon se një qendër e ngjashme është krijuar në vitin 2017 në Helsinki të Finlandës, për të cilën, ushtarakët rusë thonë se vepron në sferat ushtarake, politike, diplomatike, ekonomike, informative, mjekësore dhe të tjera për të dëmtuar imazhin pozitiv të Rusisë. 

Rusia duket se e ka fjalën për Qendrën e re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, e cila u inaugurua sot nga kryeministri Rama.  “Kjo qendër i bashkëngjitet Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, një tjetër projekt madhor për mbrojtjen në botën digjitale, me një rol kyç në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjes së sistemeve tona të informacionit, e ngritur falë mbështetjes së SHBA-së. Nëpërmjet Qendrës së re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, synohet ndër të tjera të forcohen kapacitetet kombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përmes zbatimit të projekteve inovative dhe integrimit të teknologjive të avancuara, si dhe të nxitet zhvillimi i një ekosistemi të inovacionit në siguri dhe mbrojtje”, u shpreh kryeministri.

Rama vizitoi sot mjediset e reja të Qendrës, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe drejtues të lartë të Forcave të Armatosura dhe më pas mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të saj. /Pamfleti

Lini një Përgjigje