TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Maj 2024, 22:11

Kur ka ndërmend të godasë sërish SPAK-u... dhe disa shifra nga Kroacia

Shkruar nga Pamfleti
Kur ka ndërmend të godasë sërish SPAK-u... dhe disa shifra
SPAK

SPAK u ngrit sipas shembullit të USKOK në Zagreb. Por a e dini se çfarë bilanci pati kjo prokurori në periudhën e saj më të artë?

Prokuroria e Posaçme duket se ka rënë në qetësi sa i takon goditjeve të bujshme në radhët e politikës. Në vitin e kaluar pati disa arrestime dhe hetime që bënë bujë, por këtë vit nuk ka shkrepur fare SPAK. E vetmja lëvizje ishte ajo në Bashkinë e Tiranës, por sërish jemi në nivele drejtorësh.

Goditja e fundit e SPAK u bë më 21 tetor 2023. Në këtë datë u arrestua Jamarbër Malltezi, teksa Berishës ju komunikua masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Që atëherë nuk pati më asnjë lëvizje.

Pritej arrestimi i Ilir Beqajt, por SPAK e amnistoi duke e lënë në detyrim paraqitje. Po ashtu javët e fundit pritej që të arrestohej Ilir Meta, por sërish prokuroria u tërhoq. Pra kanë kaluar 6 muaj që nga tetori dhe nuk ka asgjë. Deri më sot të vetmit që janë në qeli në nivele të larta janë Lefter Koka dhe Alqi Bllako, gjithë të tjerët janë “cironka”, që i ka lëshuar Rama sepse nuk i hynin në punë. Ata që duheshin i nxori nga burgu, si rasti i Vangjush Dakos.

SPAK ka 4 vite që është krijuar dhe numri i zyrtarëve që janë dënuar, arrestuar apo gjykuar është në nivele të pakta. Sigurisht që është shumë më i lartë se më parë, por a mjafton? Mund të marrim si shembull Kroacinë. SPAK u ngrit sipas shembullit të USKOK në Zagreb. Por a e dini se çfarë bilanci pati kjo prokurori në periudhën e saj më të artë?

Gjatë viteve 2007-2014 janë kryer mijëra hetime dhe 3.454 persona janë akuzuar, dhe janë dërguar përpara gjykatës 3098 persona, 2915 prej të cilëve janë dënuar.

Pra në 7 vite, janë dënuar afro 3 mijë perona. SPAK është në vitin e katërt dhe të dënuar janë me dhjetra. Nëse prokuroria nuk lëviz, do ta gjejë veten akoma dhe më shumë nën presion.

Rama-Berisha janë bërë bashkë për të ngritur një komision që do vërë nën kontroll organet kushtetuese dhe nuk i dihet se çfarë sjell ky plan ogurzi. Ka me dhjetra dosje aty dhe akoma nuk dihet se pse merret kaq shumë kohë.

Ilir Meta ka 3 vite që hetohet dhe asnjë zhvillim. Berisha u hetua 3 vite dhe tani dosja ende mbahet dhe nuk shkon për gjykim. E njëjta gjë me koncensionet në shëndetësi. Po ashtu e njëjta gjë me Olta Xhaçkën, fondet e IPARD etj. SPAK vërtetë nuk ka shumë kapacitete, por nëse duam shembullin kroat, prokurorët duhet të nxitojnë. /Pamfleti  

Lini një Përgjigje