
Policia Kufitare, në bashkëpunim me Policinë e Rendit dhe Organizatën e Peshkimit në Pogradec, ka intensifikuar kontrollet për zbatimin e ndalimit të peshkimit të koranit gjatë muajve dhjetor dhe janar, periudhë që përkon me shumimin e këtij peshku karakteristik të Liqenit të Ohrit.
Sipas autoriteteve, nga kontrollet e kryera gjatë këtij viti janë konstatuar vetëm raste sporadike të peshkimit të paligjshëm. Për shkelësit, ndëshkimet variojnë nga gjoba administrative deri në ndjekje penale, në varësi të shkeljes së konstatuar.
Gjatë gjithë muajit dhjetor, varkat e peshkimit në qytetin e Pogradecit janë parë të përmbysura në breg të liqenit, një tregues se ndalimi i peshkimit të koranit po respektohet. Ky ndalim zbatohet çdo vit gjatë muajve dhjetor dhe janar, për shkak se kjo periudhë është vendimtare për ciklin e shumimit të këtij peshku që ka habitat natyror Liqenin e Ohrit.
Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit respektimi i ndalimit duket të jetë më i lartë, si rezultat i rritjes së ndërgjegjësimit të peshkatarëve, por edhe i masave ndëshkuese. Kjo situatë konfirmohet edhe nga kontrollet e përbashkëta të kryera me Organizatën e Peshkimit Pogradec.
Ndalimi i peshkimit ka ndikuar edhe në tregun lokal, ku aktualisht raportohet mungesë e koranit të freskët të sapokapur në shitje.
Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe, rreth 70 peshkatarë janë të autorizuar për mbledhjen e vezëve të koranit. Vezët trajtohen në inkubatorin e Linit dhe më pas, gjatë vjeshtës, lëshohen sërish në liqen në formën e koranëve të vegjël, si pjesë e procesit të ripopullimit dhe ruajtjes së ekosistemit të Liqenit të Ohrit.
Lini një Përgjigje