
Qeveria i ka dhënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, (KQZ) 9,3 milionë eurot shtesë që kërkoi për votën e diasporës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Kujtojmë se KQZ-ja kishte kërkuar fond shtesë pas numrit të lartë të emigrantëve të regjistruar, kryesisht për mbulimin e shpenzimeve të postës, pasi vota do dërgohet dhe kthehet me zarf.
Kujtojmë se emigrantët kanë pasur kohë deri më 4 mars për t’u regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.
Të dhënat zyrtare tregojnë se deri më tani janë miratuar 231,674 kërkesa, ndërsa 20,465 të tjera mbeten ende në shqyrtim nga KQZ. Nëse këto kërkesa miratohen, numri i votuesve nga diaspora mund të arrijë në rreth 250 mijë.
Sa i përket shpërndarjes gjeografike, Italia kryeson me rreth 86,400 zgjedhës të regjistruar, e ndjekur nga Greqia me 62,470.
Gjermania renditet e treta me rreth 24,400 votues, ndërsa SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar kanë përkatësisht 20,000 dhe 16,470 aplikime të miratuara.
Në bazë të Kodit Zgjedhor, votat e diasporës do të llogariten në qarqet ku zgjedhësit janë të regjistruar.
Tirana ka numrin më të madh të votuesve të regjistruar nga jashtë, me rreth 49,000 aplikime të miratuara, ndjekur nga Fieri me 30,000 dhe Durrësi me 23,760. Kukësi mbetet qarku me numrin më të ulët, me 3,750 votues të regjistruar.
Sipas afateve ligjore, KQZ duhet të publikojë listën përfundimtare të zgjedhësve brenda datës 9 mars, ndërsa deri më 12 mars do të dorëzohen kandidaturat për deputetë.
Lini një Përgjigje