Gjyqtarja e seancës paraprake Flojera Davidhi, i kërkon SPAK të rikualifikojë akuzën për ish ministrin Ilir Beqaj, ish zëvendësin e tij Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, duke i akuzuar për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
SPAK kishte dërguar për gjykim dosjen e Sterilizimit, duke akuzuar Beqajn për shpërdorim detyre. Ndërsa ndaj Rrjepajt dhe Rrapajt dosja kishte akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda në bashkëpunim.
Kur ishte ministër, Ilir Beqaj nënshkroi një sërë kontratash koncesionare kontroverse në sektorin e shëndetësisë, dy prej të cilave, ajo e sterilizimit dhe check-up-it janë nën hetim.
Beqaj i’a doli t’u shmangej përgjegjësive penale për vite me radhë për këto afera deri në mars 2024, kur SPAK përfundoi hetimet për kontratën e sterilizimit dhe i njoftoi akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe ndaj tij u vendos masa e sigurimit personal “detyrim paraqitje”.
Megjithatë, ishin dyshimet për abuzime me fondet e BE-së që do të dërgonin pas hekurave ish-ministrin socialist. Beqaj u arrestua më 4 korrik me kërkesë të SPAK që e akuzon për korrupsion, shkelje të barazisë në tenderë në lidhje me disa procedura prokurimi të kryera nga SASPAC, si dhe fshehje apo mosdeklarim të pasurisë apo interesave private në restorantin Gzona, si dhe përdorimin e një automjeti.
Akuzat nga SPAK
SPAK i ka vënë sekuestrimin preventiv të disa pasurive dhe vlerave monetare të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe personave të tjerë që po hetohen bashkë me të për një skemë të dyshuar korrupsioni dhe pastrimi parash, duke keqpërdorur fondet e programeve të ndihmës së Bashkimit Evropian.
Përmes një vendimi të 9 gushtit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, u vendosën sekuestro preventive mbi llogari bankare e shuma parash, konkretisht në vlerat 14.3 milionë lekë, rreth 15 mijë euro dhe rreth 42 mijë USD. Sipas prokurorisë, këto shuma parash janë sekuestruar në llogari rjedhëse, depozitë me afat e në cash dhe ju përkasin Ilir Beqajt, Ermal Kurtulajt dhe katër personave të tjerë nën hetim për këto afera.
Sekuestro preventive është vendosur dhe mbi 19.4% të kuotave të shoqërisë tregtare “Albanian Food and Hospitality Services”, sh.p.k, e themeluar në janar të vitit 2019 nga bashkëshortja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Adriana Beqaj dhe nga Arti Malaj. Dy muaj më vonë Adriana Beqaj i fali 35% të aksioneve ortakut të saj Malaj dhe në janar 2020, i shiti atij dhe 15% të aksioneve të mbetura. Në vitin 2002, kompania që zotëron restorantin Gzona u shit tek Eduard Curraj.
Megjithëse Adriana Beqaj i dhuroi dhe i shiti aksionet e saj në kompaninë “Albanian Food and Hospitality Lab” në janar 2020, bazuar në përgjimet telefonike të realizuara nga prokuroria në dhjetor 2023, ngrihen dyshime se ish-ministri Beqaj vazhdon të ketë interesa pasurore në restorantin Gzona.
Po ashtu, SPAK ka sekuestuar dhe tre automjete në pronësi të Ermal Kurtulajt dhe Elton Marinit.
Beqaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe ishte ministër i Shëndetësisë nga viti 2013 deri në vitin 2017. Në vitin 2021, ai u emërua në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në shëndetësi. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për t’i caktuar atij masën e sigurimit “detyrim paraqitje” në lidhje me akuzat mbi aferën e sterilizimit, Beqaj dha dorëheqjen nga SASPAC dhe pozicioni i tij si negociator mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Ai u arrestua më 4 korrik, i dyshuar për abuzime me fondet gjatë kohës që drejtonte SASPAC. Në njoftim thuhet se po kryen veprimet e nevojshme për ekzekutimit e këtyre vendimeve, ndërkohë që vijojnë hetimet për persona të tjerë të përfshirë në këtë aferë. Ndaj personave nën hetim është regjistruar procedimi për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, kryer në bashkëpunim; “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore”; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”; “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda; si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim./ Pamfleti
Lini një Përgjigje