
Ish-kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Ibsen Elezi ka komentuar arrestimin e kreut të PL-së Ilir Meta dhe vendosjen e masës për “detyrim paraqitje” për Monika Kryemadhin, të cilët akuzohen nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Elezi theksoi se në daljen e saj publike, Kryemadhi përdori disa argumente, të cilat nuk kishin asnjë bazë përballë akuzave, që ka ngritur drejtësia.
“Monika Kryemadhi pati argumente të pabaza për t’u mbrojtur nga akuzat”, tha ai.
Elezi u shpreh se Ilir Meta që prej viti 1999 ka kryer detyra të larta shtetërorë, por bilanci i tij ka qenë negativ. Sipas Elezit, Meta është simboli i politikanit të korruptuar, të paktën në sytë e qytetarëve.
“Figura e Metës është një figurë politike që nga viti 1999 ka pasur detyra të larta shtetërore. Shumatorja politike e zotit të Metës rezulton shumë negative. Ky bilanc negativ vjen sepse Meta është i përfshirë në afera të shumta dhe është një simbol i politikanit të korruptuar, të pakën në sy të njerëzve. Kanë përdorur pushtetin për t’u pasuruar në mënyrë të frikshme”, tha ai.
Elezi komentoi edhe kampin opozitar. Ish-kandidati për kryetarin e PD-së tha se opozita është e paorganizuar përballë mazhorancës socialiste. Ai theksoi se aksionet politike të ndërmarra nga opozita nuk prodhojnë zgjerim në elektorat, por një qasje e tillë, mund të prodhojë efekt të kundërt.
“Partia e Lirisë është një parti klienteliste. Kjo PD ka në themel Sali Berishën dhe ato që janë aty nuk funksionojnë ndryshe pa të. E ka humbur qëllimin e saj, në luftë për mbijetesë. Misionin e tyre e kanë tradhtuar me ndryshimet të Kodit Zgjedhor me 1/3 e listës zgjedhore të mbyllur. Nuk jam kundër aksioneve politike që diskreditojnë pushtetin dhe i japin pikë opozitës. Këto aksione nuk i japin zgjerim elektoral, për të mos thënë se japin efektin e kundërt. PD ka prekur fundin në këto momente. Nuk kanë sens logjik për këtë rrugë që po ndjekin”, tha ai për “Abc News”.
Lini një Përgjigje