TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Dhjetor 2025, 19:41

Hije skandali në Prokurorinë e Dibrës/ Prokurori procedon shefin e tij: Abaz Muça manipuloi provat për një çështje nën hetim

Shkruar nga Pamfleti

Hije skandali në Prokurorinë e Dibrës/ Prokurori procedon shefin

Drejtuesi i Prokurorisë Abaz Muça i kthen automjetin një të dënuari për drogë dhe dhunë, në kundërshtim me ligjin....

Në Prokurorinë e Dibrës ka shpërthyer një konflikt i pazakontë, ku një prokuror ka nisur procedim penal ndaj vetë drejtuesit të institucionit. Sipas raportimeve mediatike, prokurori Urim Kalia ka regjistruar një çështje penale ndaj shefit të tij, Abaz Muça, pas një veprimi të paligjshëm të këtij të fundit që ka cenuar drejtpërdrejt provat e një çështjeje në gjykim.

Sipas hetimit të nisur nga prokurori Kalia, drejtuesi i prokurorisë ka urdhëruar në mënyrë verbale policinë për të kthyer një automjet që ishte sekuestruar si provë materiale në një dosje penale ndaj një shtetasi me precedentë të rëndë penalë. Ky person, i dënuar më herët për përndjekje, kundërshtim të forcave të rendit dhe vepra në fushën e narkotikëve, ishte subjekt i një gjykimi të hapur, për të cilin mjeti i sekuestruar kishte rëndësi të drejtpërdrejtë provuese.

Veprimi është kryer në kundërshtim të plotë me ligjin, pasi prokurori i çështjes kishte dhënë urdhër të prerë për të mos u prekur prova materiale deri në përfundim të procesit gjyqësor. Megjithatë, automjeti u rikthye nga policia tek i pandehuri me urdhër verbal nga vetë kryeprokurori Muça. Pasi mori dijeni për këtë ndërhyrje, prokurori Kalia nisi hetimin duke sekuestruar kamerat e sigurisë dhe dokumentacionin për hyrje-daljet e mjetit në ambientet e komisariatit të policisë Dibër.

Në momentin që policia u informua për nisjen e hetimeve, automjeti u rikthye në komisariat për të fshehur gjurmët e paligjshmërisë. Por dëshmitë e oficerëve të policisë i përforcuan akuzat, pasi deklaruan në procesverbal se ishin urdhëruar nga drejtuesi i prokurorisë për kthimin e mjetit.

Pasi hapi çështjen penale, prokurori i dosjes u përball me pengesa të reja. Abaz Muça ka urdhëruar sekretarinë të mos i ofrojë më asnjë shërbim protokolli prokurorit që po e hetonte. Si pasojë, çështja u dërgua në Prokurorinë e Kukësit pa shkrese përcjellëse dhe pa numër protokolli, një precedent i rrallë dhe i pazakontë që flet për presion të drejtpërdrejtë dhe bllokim të funksioneve procedurale.

Prokuroria e Kukësit ka konfirmuar se çështja është në shqyrtim dhe se do të merret një vendim brenda afateve ligjore, duke pranuar se rasti tashmë është nën juridiksionin e saj. Nëse konfirmohet ndërhyrja e paligjshme në provat e një çështjeje penale, pasojat ligjore për drejtuesin e prokurorisë Dibër mund të jenë të rënda, përfshirë ndjekje penale dhe pezullim nga detyra.

Ky rast hap një kapitull të ri për mënyrën se si funksionon realisht drejtësia në rrethe dhe ngre shqetësime serioze mbi ndikimin që mund të ushtrohet nga brenda institucioneve për të manipuluar ose zhbërë prova gjatë një procesi aktiv.

1 Komente

  1. d
    doktori

    ky prekurori i paska te medha booolet hahaha

    Lini një Përgjigje