TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Prill 2025, 07:15

Ekzekutimi i Gjovalin Prendit dhe atentati në Lundër, gazetari: Dyshohet për vrasës me pagesë, ja ku po hetohet

Shkruar nga Pamfleti

Ekzekutimi i Gjovalin Prendit dhe atentati në Lundër, gazetari:

Vrasja me armë zjarri e Gjovalin Prendit disa ditë më parë në Pllanë të Lezhës vijon të mbetet mister, ndërsa hetimet po thellohen në pistën e hakmarrjes për shkak të të shkuarës kriminale të djalit të tij, Roan Brahimi, i njohur edhe si Sidorel Prendi.

Gazetari Klajdi Bodlli, i ftuar në emisionin “Open” në News24, deklaroi se vrasja dyshohet të jetë kryer nga vrasës me pagesë, të cilët mund ta kenë ndjekur prej kohësh Prendin për të realizuar atentatin.

Ai ndodhej në lokalin e tij në momentin e sulmit, së bashku me bashkëshorten dhe një person tjetër, kur u qëllua për vdekje brenda vetëm 30 sekondave. Automjeti i autorëve u gjet më pas i djegur.

Sipas Bodllit, pista kryesore që po hetohet nga policia është ajo e një hakmarrjeje të lidhur me aktivitetin e të birit, Roan Brahimi, i cili u ekzekutua në Greqi vitin e kaluar në një atentat mafioz ende të pazbardhur.

Autoritetet greke dhe shqiptare besojnë se konflikti i Brahimit në Shqipëri mund të ketë sjellë pasoja tragjike për familjen e tij.

Ndërkohë lidhur me atentatin e rëndë që ndodhi disa ditë më parë ndaj një automjeti ku udhëtonin katër të rinj, mes tyre dy të mitur, përkatësisht 17 dhe 11 vjeç, të cilët mbetën të plagosur.

Bodlli tha se hetimet janë ende në fazën fillestare. Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që autorët të kenë ngatërruar shënjestrën ose që motivi të lidhet me dhënien e parave me fajde.

“Janë marrë në pyetje disa persona, por ende nuk është marrë në pyetje babai i dy djemve të mitur që mbetën të plagosur, pasi ndodhet në Itali me njërin prej tyre për trajtim më të specializuar,” u shpreh gazetari.

Ai shtoi se atentatorët kanë qëlluar me armë në një distancë të gjatë, nga ura e Shkozës deri në rrethrrotullimin e unazës në dalje të kryeqytetit.

“Shoferi i automjetit ka tentuar të shmanget duke u drejtuar drejt zonës së Lundrës, ku ndodhej edhe banesa e tyre,” theksoi Bodlli.

Lini një Përgjigje