
Më 1 dhjetor 2023 ishte “Pamfleti” që paralajmëroi kalimin e hekurudhës nga Shkodra....
Lobi serb nuk ja ka dalë dot të ndryshojë planet për ndërtimin e një linje hekurudhore Durrës-Prishtinë që të ketë pjesë të saj dhe Shkodrën.
Ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu ka njoftuar se tashmë ka një trase përfundimtare të hekurudhës që lidh Kosovën me Shqipërinë.
“Lajm shumë i mirë që tashmë përfundimisht kemi një dakordim të dyanshëm për trasenë se kah do të kalojë hekurudha që lidh Kosovën me Shqipërinë”, ka njoftuar Aliu.
Ai ka thënë se tashmë punimet do të fillojnë në mënyrë intensive për realizimin e projektit.
“Në përputhje edhe me zotimet tona pas procesit të nisur të fizibilitetit, do të fillojnë punimet intensive në drejtim të realizimit të njërit prej projekteve më të mëdha infrastrukturore që do të lidh jo vetëm qytetarët, por edhe ekonominë e vendeve tona dhe më gjerë”, shtoi ai.
Më 1 dhjetor 2023 ishte “Pamfleti” që shkruante se si Serbia po lobon kundër këtij plani. Qarqe akademike serbe kanë ngritur alarmin se do të riaktivizohet ideja e vjetër austriake, për një korridor infrastrukturor nga Shkodra në Gjakovë, i cili kalon përmes luginës së Drinit. Korridor, që përfaqëson një potecial ekonomik super të fuqishëm, pasi lidh një zonë, e cila në të shkuarën, përkatësisht në shekullin e 18 dhe 19, ka qenë fuqia më e madhe ekonomike e të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Ky korridor, e ka treguar forcën e tij, edhe kur u riaktivizua për fare pak vite pas një prishjeje të dhunshme që u bë pas copëtimit të trojeve shqiptare në vitin 1913. Gjatë pushtimit italian dhe atij gjerman, pra nga 1939-1944, që natyrisht nuk ishin vite të plota, shkëmbimi dhe tregtia në korridorin Shkodër- Gjakovë së bashku me brezin alpin të saj u rrit në mënyrë eksponenciale, sa rriti dukshëm të ardhurat, mirëqenien, e në radhë të parë sasinë e volumin e tregtisë.
Sot foli edhe kryeministri Rama në takimin me gazetarët, duke thënë se hekurudha do ketë një ndryshim të vijës, që do kalojë nga Shkodra, Gjakova dhe në fund në Prishtinë.
“Ka komunikime intensive me Kosovën për ecurinë e hekurudhës Durrës-Prishtinë, ka një dakordësi nga të dyja palët për të eksploruar një ndryshim të vijës duke kaluar nga Shkodra në Gjakovë dhe në Prishtinë, kjo është një zgjidhje e dëshiruar edhe nga pala e Kosovës”, deklaroi Rama.
Kontrata me kompaninë fituese që do të zhvillojë studimin e fizibilitetit për hekurudhën Durrës-Tiranë tashmë është lidhur dhe vlera e saj finale është rreth 202 milionë lekë apo rreth 2 milionë euro përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar.
Kostoja e përafërt e hekurudhës Durrës-Prishtinë është llogaritur në 700 milionë euro.
Lini një Përgjigje