TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Janar 2024, 16:32

“Sky ECC” dhe lidhjet e policisë me krimin, hyjnë në lojë amerikanët; marrin nën ‘patronazh’ AMP-në

Shkruar nga Pamfleti
“Sky ECC” dhe lidhjet e policisë me krimin, hyjnë në
Takimi i Wisner me kreun e AMP

I dërguari me punë i SHBA i ka shkuar sot në zyrë kreut të ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore...

Lidhjet e policisë me krimin kanë filluar të shqetësojnë amerikanët. Shumë efektivë rezultojnë se kanë përdorur “Sky ECC” për të ndihmuar grupet kriminale. Disa janë arrestuar, por ka dhe shumë të tjerë, përfshirë drejtorë policie që kanë dalë në përgjime me kriminelët.

Por në kushtet kur po vepron vetëm SPAK dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore duket si më pasive, kanë hyrë në lojë amerikanët. I dërguari me punë i SHBA, David Wisner i ka shkuar sot në zyrë kreut të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani, për t'i dhënë mbështetje në punën e tij.

Ambasada bën me dije se ai ka qenë i shoqëruar nga një numër i madh ekspertësh, duke bërë të qartë se efektivët që shkelin ligjin duhet të japin llogari. Diplomati theksoi se ata do të punojnë me AMP dhe policinë në këtë aspekt, për të siguruar një shërbim profesional të zbatimit të ligjit.

Në takimin e tij të parë me kreun e ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani, i Ngarkuari me Punë, David Wisner dhe ekspertët e zbatimit të ligjit të Ambasadës së SHBA në Tiranë vlerësuan rolin në rritje të agjencisë në forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit dhe rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit brenda organeve ligjzbatuese të vendit. Llogaridhënia e vërtetë është thelbësore për ndërtimin e besimit te forca policore shqiptare dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me drejtuesit e organeve të zbatimit të ligjit në Shqipëri për të zgjeruar këtë kapacitet”, tha ai.

SHBA ka investuar shumë në policinë shqiptare, por shumë fonde të tyre duket se kanë shkuar kot, duke qenë se ka pasur shumë raste që tregojnë se efektivët kanë lidhje me krimin. Vetë ministri Balla e ka pranuar këtë gjë dhe madje bëri ndryshime në krye të AMP, duke emëruar një person që është jashtë sistemit. Por duket se tani kanë hyrë në lojë dhe amerikanët, të cilët do japin asistencë që të zbulohen ata që ndihmojnë apo japin informacione te bandat.

Lidhur me takimin reagoi dhe vetë AMP, duke dhnë më shumë detaje. Sipas saj, ambasadori në detyrë i SHBA, garantoi mbështetjen e palëkundur që ofron ambasada e SHBA për të rritur kapacitetet e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në funksion të zbatimit të ligjit. “Wisner theksoi përkushtimin për forcimin e partneritetit përmes programeve ICITAP dhe OPDAT, me qëllim parandalimin e korrupsionit apo paligjshmërive brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Ky bashkëpunim përfshin trajnime të vazhdueshme dhe cilësore të personelit të Agjencisë, të cilat synojnë të rrisin eficencën e hetimeve proaktive në funksion të goditjes së paligjshmërisë, duke përmbushur kështu edhe pritshmëritë e publikut për një shërbim policor në përputhje me standardet evropiane”, njoftoi AMP.

Drejtori i Përgjithshëm, Florian Sulejmani shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe vizionin e përbashkët me ambasadën e SHBA në Tiranë, duke theksuar vendosmërinë e Agjencisë në luftën kundër korrupsionit dhe paligjshmërisë brenda Policisë së Shtetit. Ai tha se Agjencia po kontribuon fuqishëm në këtë drejtim, nëpërmjet hetimeve proaktive dhe bashkëpunimit me SPAK e Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm. Gjithashtu, ai nënvizoi rëndësinë e procesit të vlerësimit kalimtar e periodik dhe rolin kyç të Agjencisë, si një nga mekanizmat e vetëpastrimit, me qëllim rritjen e besimit të publikut te Policia e Shtetit dhe forcimin e integritetit brenda radhëve të saj. /Pamfleti

Lini një Përgjigje