
Edi Rama e quan “trangull e kokëbosh”, por i ka dhënë Bledjon Nallbatit 50 hektarë tokë dhe koncesion për energjinë diellore...
Mbrëmjen e të shtunës, deputeti i PD-së dhe kandidati i listës së mbyllur të Korçës për Devollin, Bledjon Nallbati, bashkë me vëllain dhe shoqëruesit e tij, u përfshinë në një akt dhune fizike ndaj një kamionisti në Bilisht.
Deputeti demokrat e justifikoi aktin e dhunës si "moment gjaknxehtësie", duke pretenduar se kamionisti i kishte bllokuar rrugën dhe rrezikuar jetën me urdhër të ministrit socialist Niko Peleshi. Ky version u mbështet edhe nga Sali Berisha gjatë fushatës elektorale.
Por nga ana tjetër, këtë ngjarje e shfrytëzoi edhe kryeministri Edi Rama në mitingun elektoral të ditës së hënë me banorët e Devollit, ku tha se "Devolli që ka patur deputet krenarinë e kombit, Dritëro Agollin, sot ka deputet një katran, një farë Nallbati, një turp të Devollit, një xhuxh agresiv, trangull e kokëbosh".
Në fakt, ky "turp i Devollit" siç e cilësoi Rama, rezulton të jetë një biznesmen që ka marrë nga vetë kryeministri 50 hektarë tokë shteti në zonën Bitinckë-Tren, për ndërtimin e një parku energjie fotovoltaike.
Sipas dokumenteve zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, ku kryetar është Edi Rama, deputeti i PD-së Bledjon Nallbati, nëpërmjet kompanisë “Sun Beat System Sh.p.k”, ka marrë koncesion për ndërtimin e parkut me afat 35-vjeçar dhe investim prej 10 milionë Eurosh.
Deputeti Nallbati zotëron 36% të aksioneve të këtij koncesioni, të regjistruar në emër të babait të tij, Tomor Nallbati, dhe është përfitues i drejtpërdrejtë i fitimeve nga shitja e energjisë.
Madje, me urdhër të Ramës, Enti Rregullator i Energjisë në datën 21 korrik 2022, i dha licencë koncesionit të Nallbatit për prodhim e shitje energjie elektrike deri në vitin 2047. Ironia arrin kulmin kur vetë kryeministri, në datën 1 mars 2025, promovoi me pompozitet nëpërmjet një videoje speciale parkun energjetik të Nallbatit, të cilin sot në fushatë e quan "rrugaç e kokëbosh".
Ky rast është një tjetër dëshmi që konfirmon teatrin politik mes krerëve të PS-së dhe PD-së, të cilët në publik sulmojnë njëri-tjetrin me fyerje të rënda, ndërsa në prapaskenë ndajnë mes tyre pasuri, tendera dhe koncesione miliona eurosh./Pamfleti


Lini një Përgjigje