
Rruga kryesore Himarë-Sarandë pranë Borshit është e pakalueshme për shkak të rrezikut nga flakët që kanë 'mbërthyer' fshatin turistik.
Jugu i vendit vijon të jetë nën 'pushtetin' e flakëve, ndërsa situata më kritike mbetet në Borsh, ku zjarri ka zbritur nëpër lagje dhe po shkon drejt vijës së plazhit.
Rruga kryesore Himarë-Sarandë pranë Borshit është e pakalueshme për shkak të rrezikut nga flakët që kanë 'mbërthyer' fshatin turistik.
Si rrjedhojë, autoritetet janë detyruar të kryejnë evakuimin e shumë banorëve të cilët jetojnë në banesat që rrezikohen nga zjarri masiv, si dhe pushuesit e akomoduar në hotelet e Borshit.
Mbrëmjen e djeshme u raportua një vatër e fuqishme zjarri edhe në Parkun Kombëtar të Prespës në Pustec, qarku i Korçës. Flakët kanë përpirë sipërfaqe të mëdha me pyll, teksa forca të shumta nga institucione të ndryshme të emergjencave ndodhen në terren për t'i shuar. Kryebashkiaku i Pustecit, Pali Kolefski, tha se po hetohet nëse zjarri është i qëllimshëm, ndërsa shpjegoi se terreni është i vështirë për të bërë të mundur shuarjen e flakëve në mënyrë të menjëhershme.
Situata është përkeqësuar edhe në Shashicë të Vlorës. Flakët rrezikojnë disa familje edhe në Sherishtë, ndërsa policia është në gatishmëri nëse do ketë nevojë për evakuim të banorëve. Flakët i janë afruar edhe landfillit të Sherishtës, ndërsa 4 familje janë evakuuar.
Vatër e madhe zjarri u shfaq pasditen e djeshme edhe në Qafën e Buallit në Bulqizë dhe rrethinat e saj, deri në Klos. Për shuarjen e tyre u aktivizua edhe helikopteri i ushtrisë nga ajri, teksa forca të shumta operonin në terren.
Problematike cilësohet situata edhe në Selenicë, ku vatrat e zjarrit të ndihumuara nga era po i drejtohen banesave. Autoritetet vendore kërkuan forca shtesë për aksionin, me qëllim shuarjen e flakëve.
Nga mali i Shpiragut, flakët zbritën mesditën e djeshme në fshatin Paftalit të Beratit, ku u evakuuan edhe banorët.
Ndërsa në fshatin Kopaçëz të Delvinës, situata u vu nën kontroll por dëmet janë kolosale. Tetë banesa janë djegur plotësisht, ndërsa banorët përpiqen të mbledhin copëzat që u kanë mbetur. Sakaq, banorët po përballen edhe me mungesën e ujit të pijshëm.
Dëme kolosale ka dhe në fshatrat e tjerë të Delvinës, si Vergo, Palavli dhe Senicë, ku deri më tani raportohen 30 shtëpi e biznese të djegura pjesërisht. Po kështu u dëmtua kisha 200-vjeçare e Shën Dhimitrit.
Lini një Përgjigje