TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Gusht 2025, 21:15

Aida Hajnaj mbyll këtë javë mandatin, pse SPAK po mban peng kreun e ri të BKH-së?

Shkruar nga Pamfleti

Aida Hajnaj mbyll këtë javë mandatin, pse SPAK po mban peng kreun

Kulisat që fshihen pas garës për kreun e FBI-së shqiptare...

Byroja Kombëtare e Hetimit, duke filluar nga e hëna e javës që vjen, do të jetë pa një drejtues zyrtar. Aida Hajnaj të dielën mbyll mandatin 5-vjeçar në krye të FBI-së shqiptare. Por për shkak të vonesave, kulisave, luftës në prapaskenë etj., drejtuesi i ri i BKH-së nuk është zgjedhur ende.

Më 28 korrik u mbyll faza e fundit e testeve për 7 kandidatët: Gledis Nano, Gentian Ndoj, Elton Kërluku, Andi Pogace, Gentian Shehu, Artur Beu, Joni Keta. Vetë SPAK njoftoi se ata tani do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit të pasurisë dhe të figurës. Pra një lloj vetingu.

Por, ashtu sikundër e bëri të ditur pak ditë më parë gazetarja Anila Hoxha, akoma nuk janë dërguar shkresat nëpër institucione për të marrë të dhënat mbi pasurinë dhe figurën. Gjë që do të thotë se brenda kësaj jave nuk ka asnjë shans që komisioni i përbërë nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra të zgjedhë drejtuesin e ri.

Por pse kjo vonesë?

Sinjalet janë se prej afro një viti po luhet një lojë e pistë në prapaskenë. Që në fund të vitit që lamë pas, Hajnaj kishte dorëzuar një kërkesë në KLP, ku kërkonte riemërim në postin që mban, të drejtë që sipas saj ia jep ligji. “Komisioni i përbërë nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, pas një procesi rekrutimi të hapur dhe transparent, rekomandojnë një kandidat për Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Drejtori emërohet për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë”, thuhet në nenin 30.

Por SPAK e interpretoi ndryshe këtë nen. Fillimisht hapi garën për riemërim, duke i kërkuar Hajnajt të aplikonte dhe të hynte në fazë verifikimi. Hajnaj e refuzoi këtë tallje, duke deklaruar se ligji i jep të drejtë të qëndrojë në detyrë edhe 5 vite të tjera. Në fund të majit, SPAK hapi garë të re për këdo që kishte interes dhe pati shumë aplikime, por 7 mbetën në garë.

Gojët e liga flasin se Altin Dumani është kujdesur gjithë këto kohë të vendosë një njeri besnik në atë post; kjo për faktin se ai në dhjetor nuk do të jetë më drejtues dhe si duket ka menduar të lërë një person të vetin në krye të organit të dytë më të rëndësishëm.

Aida Hajnaj ka pasur përplasje me të dy drejtuesit; si me Arben Krajën, ashtu edhe me Altin Dumanin. Ata kanë dashur ta trajtojnë si organ të tyre, por BKH është organ më vete dhe Hajnaj në shumë raste u ka dalë kundër. Fillimisht ata u bënë bashkë për ta larguar, por rrugës nisën edhe përplasjet.

Kraja thuhet se ia ‘drodhi’ Dumanit për emrin e ri dhe në qershor, Dumani e shkarkoi Arben Krajën nga kreu i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë. Burime nga SPAK flisnin në atë kohë për një sherr të madh mes tyre.

Flitet se Dumani e ka piketuar prej kohësh atë që do të emërohet në krye të BKH-së; ai është mes 7 kandidatëve dhe njihet për afrinë me kreun e SPAK. Por sinjalet janë se Dumanit nuk i kanë ecur mirë planet rrugës dhe me gjasë kjo punë do të zgjasë ca. / Pamfleti

Lini një Përgjigje