
Kosova braktisti ndeshjen me Rumaninë, të vlefshme për Ligën e Kombeve. Sot UEFA ka njoftuar se ka hapur një hetim për të gjykuar rastin dhe se të dyja Federatat janë duke u hetuar.
“Procedura disiplinore është nisur kundër Federatës Rumune të Futbollit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës në përputhje me nenin 55 të Rregullores Disiplinore të UEFA-s pas ndeshjes së Ligës së Kombeve të UEFA-s ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës të luajtur më 15 nëntor 2024 në Bukuresht, Rumani”, thuhet një njoftim.
Këtë të martë është afati i fundit i të dy përfaqësuesve për të dërguar ankesat e tyre në institucionin më të rëndësishëm të futbollit në Europë.
Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës, e vlefshme për Ligën C në Ligën e Kombeve, përfundoi me rezultatin 0-0, pas një ndeshje të dominuar thuajse plotësisht nga “Dardanët”. Por këta të fundit nuk ishin në fushë për vërshëllimën përfundimtare.
Në minutën e 5 shtesë të takimit, kapiteni Amir Rrahmani i komunikoi gjyqtarit tërheqjen nga fusha e lojës të ekipit dhe bashkë me pjesën tjetër të lojtarëve shkuan në dhomat e zhveshjeve.
Media rumune “Fanatik” konfirmoi pak ditë më parë se nga tifozët rumunë kishte thirrje “Serbia, Serbia”. Pas kësaj kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani tërhoqi ekipin në dhomat e zhveshjes.
Kjo është pritur shumë keq nga tifozët rumunë. Huliganët rumunë kërcënuan që do të hynin në fushë. Pati policë të infiltruar në mesin e tifozëve për të ruajtur qetësinë.
“Do të hyjmë, do të hyjmë”, ishin thirrjet e tifozëve rumunë.
Këtyre thirrjeve iu përgjigj Mërgim Vojvoda mjaft mirë, duke u bërë shqiponjën para syve të tifozëve rumunë.

Lini një Përgjigje